Telegrafi

Manjani: Presim çeljen e negociatave me KE-në

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani tha se Bashkimi Europian po e vlerëson Shqipërinë në udhën e saj të reformave.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, në përfundim të vitit të parë të punës si Ministër i Drejtësisë, Manjani tha se presim një rekomandim pozitiv nga Këshilli i Europës, pasi fryma është pozitive.

“Na kishin caktuar pesë rekomandime dhe më thelbësori ishte Reforma në Drejtësi, autorësinë e të cilit e ka Kuvendi. Miratimi me konsensus i paketës së Reformës në Drejtësi është përgjigja më e mirë ndaj skeptikëve”, tha Manjani gjatë fjalës së tij.

“140 votat e Kuvendit treguan më së miri se nuk është fjala për pro dhe kundër, por për produkt”, vijoi Manjani.

Ai tha se “kjo reformë nuk ka më kthim pas dhe për këtë jam i bindur se do çelen negociatat, teksa kushtet për këtë janë një pjesë tjetër”.

Ministri Manjani gjithashtu tha se në dikasterin që ai drejton ka çelur edhe këshillimin ligjor të shtresave në nevojë dhe jo vetëm.

Manjani deklaroi se ministri i Drejtësisë nuk ndërhyn dot në vendimet e Gjykatave dhe kjo është gjë e mirë, pasi në të kundërt do ishim në diktaturë. /Telegrafi/