Site icon Telegrafi

Manjani: Nuk ka mosmarrëveshje Prokurori-Polici

Ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Ylli Manjani ka sqaruar deklaratën e bërë ditën e djeshme kur teksa u drejtohej qytetarëve të denonconin në prokurori rastet e tyre nuk përmendi policinë.

Sipas Manjanit, kjo nuk do të thotë aspak se ka mosmarrëveshje mes prokurorisë dhe policisë.

“Prokuroria heton, policia arreston. Ky është ligji. Kur unë thashë duhet hetuar, nuk përjashtova policinë dhe askënd tjetër që kryen detyrat. Them të mos humbasin kohë të denoncojnë nëpër media. Nuk ka mosmarrëveshje mes policisë dhe prokurorisë”, deklaroi Manjani, pas takimit që zhvilloi me investitorë të huaj në Shqipëri.

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka marrë pjesë në takimin e zhvilluar nga investitorët e huaj.

Ai ngriti edhe njëherë problemin e mënyrës së funksionimit të Gjykatës Administrative. Gjithashtu ai shtoi se ligjet bëhen për të mbështetur biznesin dhe kërkoi ndihmën e tyre për të hartuar ligje që janë në mbështetje dhe favor të bizneseve.

“Që në ditët e para të punës sime si ministër jam marrë dhe do të merrem gjatë me një çështje siç është Gjykata Administrative. Pyetja që shtruam është se si të përmirësojmë shërbimin që të shërbejmë më shpejt, por për arsye organizative nuk e ka kryer këtë mision. Është e vetmja gjykatë që ka gjithmonë palë qeverinë.

Strategjia jonë për të përmirësuar bazën ligjvënëse në favor të biznesit është ‘letra e bardhë’, që do të thotë se aty biznesi duhet të shkruajë ligjin që ndihet komod. Ne nuk kemi nevojë të shpikim, të krijojmë ligje mbi ligjin. Strategia e ‘letrës së bardhë’ është ajo që na nxjerr të gjithëve faqebardhë. Na thoni kush është ligji më i mirë që u përshtatet juve”, deklaroi Manjani. /Telegrafi/

Exit mobile version