Ylli Manjani deklaroi mbrëmjen e djeshme në Top Story se PS-ja ende nuk i ka bërë ftesë LSI për të vazhduar koalicionin edhe në qershor 2017. Ai la të nënkuptuar pakënaqësinë për futjen e Shpëtim Idrizit në koalicionin e majtë. “Partite te dalin vetem ne zgjedhje te masin veten dhe pastaj te bejne koalicione”, tha ndër të tjera ai.
Pjesë nga intervista
Sokol Balla: Cila është arsyeja që nuk ktheni përgjigjje?
Ylli Manjani: Arsyeja është kjo që të thashë! Logjika e LSI është që të respektojmë institucionet që kemi zgjedhur dhe që janë në punë ende. Është hedhur një barrë e padrejtë drejt LSI-së pse nuk përgjigjet për koalicion. Kujt t’i përgjigjemi ne?!
Sokol Balla: Ftesës që ju ka ardhur.
Ylli Manjani: Ça ftese?! Ka një ftesë dasme dhe asgjë tjetër. Ka deklarata “i madhi dhe i vogli…” dhe informacione që kemi edhe PDIU-në. Ne duhet të ulemi të diskutojmë për idetë sepse kemi shumë pika të përbashkëta, por kemi edhe çështje të mprehta që na ndajnë.
Sokol Balla: Perceptohet sikur LSI lëviz mes dy partive deri në limite kohore dhe bën pazare me të dyja palët…
Ylli Manjani: Marrëveshja e Shkodrës bashkoi të majtën dhe nuk ishte pazar.
Sokol Balla: Dmth ardhja e PDIU në koalicion a e rrezikon vazhdimin e koalicionit tuaj me PS?
Ylli Manjani: Nëse pritet një përgjigje, kam merakun kush është pyetja. Deri më sot nuk ka një pyetje. Ne duhet të sqarojmë të konsolidojmë të majtën e bashkuar, apo të bëjmë një koalicion numrash. Ky ësthë mendimi im, jo i LSI-së.
Sokol Balla: Ju po thoni që ardhja e Idrizit është bërë pa konsultë me LSI?
Ylli Manjani: Nuk e di këtë. Po ngre një çështje dhe po arsyetoj me faktet për t’u përgjigjur pyetjeve se çfarë do të bëjmë në të ardhmen dhe këtu më mungon se cila është ideja.
Sokol Balla: Zgjedhja e presidentit nga PS është se kryeministri është i bindur që të nisë procedurën më 18 prill, ndërsa ka edhe një skenar tjetër, që ky parlament zgjedh presidentin me një seancë të jashtëzakonshme në korrik, për cilin variant është LSI?
Ylli Manjani: Presidentin do të zgjedhë ky parlament, do të betohet para këtij parlamenti, pra ky parlament do të mblidhet të paktën njëherë në seancë të jashtëzakonshme.
Sokol Balla: E shikoni Ilir Metën President?
Ylli Manjani: Nuk e di, por mund të them që LSI, krahas zotit Meta mund të propozonte shumë emra dinjitozë për President. /Telegrafi/