Ministri i Drejtësisë, Ylli Manajni, i ka dorëzuar sot kryeprokurorit Adriatik Llalla rekomandimet e qeverisë për politikat penale . Takimi zhvillohet në Prokurorinë e Përgjithshme.
Në fjalën e tij, Manjani ka kërkuar hetim të plotë për të gjithë dhe për këdo pavarësisht shkallës së hirearkisë që gjendet në administratën shtetërore.
“Mos kini frikë. Hetimi është i domosdoshëm. Kryeni veprimtari hetimore të pavarur nga ekzekutivi. Nxisim hetim të shpejtë të çdo episodi apo dokumenti që shfaqet apo ekspozohet publikisht apo në rrugë të tjera, të hetohet me profesionalizëm. Jam i bindur se pas hetimit profesional ka dhe ndëshkim shembullor”, tha Manjani.
Më pas ai ka vijuar duke thënë “të shtohet numri i zyrtarëve të lartë në hetim, duke nisur edhe nga ministri i Drejtësisë, nëse ka nevojë. Ka përfunduar koha kur ekzekutivi refuzon të zbatojë urdhrin e prokurorisë. Urdhri i prokurorisë është ligj dhe i detyrueshëm për qeverinë”.
Sipas ministrit të Drejtësisë, është prokurori që jep urdhrin, e më pas policia vepron. “Të gjithë të tjerët janë në shërbim të tij. Duhet të mos kemi më keqkuptime ku njëri kap, tjetri lëshon. Kjo ndihmon krimin dhe jo shtetin. Ne duam një prokurori aktive”, vijoi ai. /Telegrafi/