Site icon Telegrafi

Manipulimi i rrezikshëm i lidershipit politikë në Kosovë

“Ai që i sundon të tjerët, është i fortë. Ndërsa ai që sundon veten, është i aftë”. Duket se ky është thelbi i “konfrontimit” të ditëve të fundit mes Misionit të Bashkimit Europian për Gjyqësi dhe Drejtësi në Kosovë (EUELX) dhe institucioneve të Kosovës.

Bashkimi Europian po hiqet si i fort, për shkak se po na sundon neve, ndërsa që institucionet e Kosovës po rezultojnë të paafta, për shkak se nuk po arrijnë ta sundojnë as veten e tyre. Në këtë kontekst edhe zyrtarë të Bashkimit Europian kanë ripërsëritur qëndrimin, se nuk tërhiqen nga mbështetja për EULEX-in, që ky mision të nënshkruaj Protokollin e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. EULEX-i si palë e “fort”, me këtë rast ka ofruar për institucionet e Kosovës, në shkëmbim të pranimit të protokollit, futjen nën-kontroll të Prishtinës të pjesë veriore të Kosovës në një periudhë afatmesme apo afatgjatë.

Në anën tjetër, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, të mbështetur edhe nga opozita dhe shoqëria civile, edhe pse të “paaftë”, vazhdojnë të refuzojnë nënshkrimin e një marrëveshje të tillë mes EULEX-it dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës si e “paaftë” përveç refuzimit, nuk ka ofruar as edhe një zgjidhje alternative, nëse refuzon ndihmën e EUELX-it, përmes së cilës do të na binde përmes veprimeve që dërgojnë në vendosjen e kontrollit të saj mbi gjithë territorin e Kosovës. Siç e dimë, në letrën e Presidentit Sejdiu, EULEX-i është ftuar për të ndihmuar institucionet e Kosovës, duke i dhenë edhe disa fuqi ekzekutive, të cilat tani po kontestohen po nga udhëheqja e Kosovës.

Megjithatë, lidershipi politik i Kosovës ka të drejtë të shqetësohet për veprimet që dikush mund të ndërmarr në emër të Kosovës, por nuk ka të drejtë të ankohet për gjërat që ka bërë apo i ka pranuar vetë. Kjo krekosje e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës më shumë na ngjanë në një tentim për ta shpëtuar fytyrën, sesa për të mbrojtur të drejtën, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Është po ky lidership politikë që ka pranuar Planin e Ahtisarit, ka ftuar EULEX-in në Kosovë dhe nuk ka vepruar në parandalimin e Planit gjashtë pikësh të Ban ki-Mun, pjesë e të cilit është Protokolli i EULEX-it. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës asnjëherë deri më sot nuk kanë dëshmuar apo nuk na kanë bindur me veprimet e tyre, qoftë për t’i parashikuar, e aq me pak për t’i parandaluar marrëveshjet që është ditur se janë në disfavor të Kosovës.

Prandaj, kjo neglizhencë e vazhdueshme e udhëheqjes së Kosovës, duhet të na bëjë shumë të kujdesshëm në reagimet tona, për të mos renë nën ndikimin e populizmit të tyre, që mund të jetë i rrezikshëm për të ardhmen tonë dhe të bëhemi bashkë me “JO-t” e tyre patriotike, që fundja kanë për qëllim shpërndarjen e fajit, sesa zgjidhjen e problemit. Më sjelljet tona, të gjithë po bëhemi fajtor, edhe ata që i kishin paralajmëruar këto zhvillime shumë herët, e, edhe ata që i shpallni të vdekura planet e zyrtarëve të bashkësisë ndërkombëtare, e që po u ringjallen sot. Përmes sjelljeve prej populistave, udhëheqja e Kosovës po humbim aftësinë e një gjykimi të drejtë, që do të ndihmonte në tejkalimin e gjendjes së krijuar, aspak në favor të Kosovës dhe proceseve që i ka përpara.

Ky populizëm politik që ka krijuar agoni dhe vetëkënaqësi të vazhdueshme tek udhëheqja e Kosovës, sidomos pas pavarësisë së vendit, i ka dhenë të drejtë, për të mos thënë se e ka detyruar bashkësia ndërkombëtare të veproj vetë. Agonia e vendorëve dhe aktivizimi i ndërkombëtarëve tani na rezulton i keqkuptuar, që i ka komplikuar gjërat, duke i shndërruar të palët në bashkëfajtor për këtë gjendje dhe kjo për të paktën për dy arsye.

Arsyeja e parë ka të bëjë me brishtësinë e institucioneve të Kosovës për të vendosur rend, siguri dhe për të menaxhuar me problemet e brendshme. Kjo paaftësi e institucioneve të Kosovës, që të vendosin kontroll mbi gjithë territorin e vendit, u ka dhenë mundësi ndërkombëtarëve, që edhe pse shtet i pavarur dhe i njohur nga 62 shtete, 22 nga ato anëtare të Bashkimit Europian, të ndërhyjnë për të menaxhuar me problemet e Kosovës. Ndërkombëtarët ndërhyrjen e vet e arsyetojnë me faktin se, çështjet për të cilat po angazhohen nuk janë rrezik vetëm për të ardhmen e Kosovës, por edhe të rajonit dhe vetë Europës, ngase po flasin për krimin dhe kontrabandën.

Kosova as edhe pas dhjetë vjetëve të “çlirimit” dhe rreth një vit e gjysmë të të qenit shtet i pavarur, nuk po arrin të vendos kontroll mbi gjithë territorin e vet. Veriu është krejtësisht jashtë këtij kontrolli, vetëm shikon zhvillimet e fundit atje dhe e kuptoni se kush qeverisë me atë pjesë. Një pjesë e qytetarëve (serbët) nuk njohin institucionet e shtetit të ri dhe janë barrikaduar në disa tampon-zona, ku qeveria e Kosovës më vështirësi mund të depërtojë. Krimi, korrupsioni, njohjet, zhvillimi ekonomik, papunësia, varfëria, etj., janë segmente që do të duhej ta shqetësonin dhe të mos e lenë të flejë rehat as një qeveri në Kosovë. Qeveria jo që fle rehat, por as e merr mundin për t’u marr vet më këto çështje, që do të ishte sinjal i qartë edhe për EUELX-in që të mos përzihet dhe as bëjë marrëveshje në emër të Kosovës, ngase do t’i thuhej se ka kush përkujdeset për këto gjëra.

Një parim i vlefshëm në politikën ndërkombëtare na mëson, se një shtet i ri për të qenë në gjendje që të funksionojë sipas rregullave dhe politikës ndërkombëtare, duhet që paraprakisht të krijojë institucione të forta dhe të qëndrueshme brenda, të cilat pastaj do të reflektonin dhe aplikonin një politikë të balancuar dhe të matur kundrejt të tjerëve. Kosova deri më tani nuk ka dëshmuar aftësi në këtë drejtim, edhe pse në shumë vende të botës qeveritë e shteteve në zhvillim janë shumë ambicioze në synimet e tyre për ta shtrirë sa më shumë rrjetën e vet. Megjithatë, ne kemi nevojë që ta rrisim paraprakisht fuqinë minimale të institucioneve shtetërore për të siguruar funksionet themelore që ato kanë kapacitet për t’i kryer. Ndryshe, rruga që po ndiqet nga udhëheqja e Kosovës nuk tregon qartë se për ku janë nisur dhe as ku dëshirojnë të arrijnë në fund të gjithë kësaj.

Arsyeja e dytë, pse tani po përballemi me situata të tilla konfuze dhe “konfrontuese” në relacionin ndërkombëtar-vendor, ka të bëjë me mendësinë e ndërkombëtarëve, se ata patjetër duhet të jenë të fundit që vendosin për çdo gjë në Kosovë. Burokratët ndërkombëtarë nuk po arrijnë të kuptojnë, se ndërhyrja direkte e tyre në punët e brendshme të një shteti në ndërtim apo konsolidim e sipër nuk ndihmon në përmirësimin e gjendje, përkundrazi vetëm sa mund ta përkeqësojnë atë. Shumë autorë që janë marr më shtet-ndërtimin, thonë se komuniteti ndërkombëtar di vetëm si të ofrojë shërbime qeveritare, por ajo që nuk di është, si të krijojë institucione vendase të vet-qëndrueshme.

Zyrtarët e Bashkimit Europianë shihet se nuk kanë mësuar asgjë nga keq-administrimi i OKB-së, përmes UNMIK-ut, edhe pse ishin deklaruar që në fillim se do të punojnë ndryshe. Kjo gjendje më shumë ngjanë në një bartje të mandatit nga OKB-ja tek BE-ja, e që metodat e punës dhe sjelljet kanë mbetur të njëjta. Ende mbizotëron raporti subordinues, ku ndërkombëtarët sillen si shefa, ndërsa vendorët si shërbëtor. Megjithatë, nuk duhet mohuar faktin se kjo gjendje është krijuar me fajin e vendorëve, ngase për dhjetë vjet kemi parë një servilitet dhe nënshtrim të turpshëm ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe asnjëherë një iniciativë dhe dëshmi se dimë t’i bëjmë vetë gjërat.

Prandaj, ky servilitet ka bërë që europianët të mos vetëdijesohen dhe as të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, krahasuar me atë të UNMIK-ut. Misionet europiane këtu nuk e kanë kuptuar ende problemi, se administrata e UNMIK-ut është shembull klasik që dëshmon se “qeverisja ndërkombëtare” vetëm administron më problemet e një shteti në ndërtim, por nuk ofron asnjëherë ide se si duhet të krijohen institucione të qëndrueshme, të besueshme dhe funksionale. Kjo për shkakun e vetëm se OKB-ja nuk u ka dhenë shansin institucioneve të Kosovës për ta dëshmuar vetën, por përkundrazi u ka vendosur tani në qaf dy misione të reja evropiane, ICO-në dhe EULEX-in, njëri politik e tjetri teknik, që të dyja me mandat neutral ndaj pavarësisë së Kosovës.

Prandaj, nuk është e domosdoshme që gjithnjë të thuhen gjërat drejtpërsëdrejti që ato të kuptohen drejtë, ngase mjafton një vëmendje më e madhe ndaj mesazheve që jepen, për të kuptuar, se çfarë mendon shefi i ICO-së, Pieter Feith, kur e quan pavarësinë e Kosovës si të njëanshme. Apo ish kryenegociatori për statusin e Kosovës, Martih Ahtisari, kur thotë se nuk dëshiron të jetë pjesë e një marrëveshje të re për statusin e Kosovës. Ose insistimi i deputetëve evropianë, që Brukseli të pozicionohet me qartë rreth statusit të Kosovës.

Më siguri, edhe këto deklarime, nga udhëheqja e Kosovës do të cilësohen si të pavlera, të tejkaluara apo si plane të “vdekura”. Por, mos të harrojmë faktin se nga janari i vitit 2010 presidencën e BE-së e merr Spanja dhe kryesimin e Asamblesë së OKB-së për një vit do ta ketë Libia, dy vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo do të jetë një periudhë edhe me e rend për Kosovën, ngase do të ketë përplasje mes të drejtës së Kosovës për të qenë shtet i pavarur, e që nuk e pranojnë Spanja dhe Libia dhe shkeljes që gjoja Kosova i ka bërë të drejtës ndërkombëtare, kur ka shpallur pavarësinë, të cilin mendim e mbrojnë Spanja dhe Libia, por që e hedh poshtë Kosova.

Prandaj, nëse vazhdon edhe më tej ky “konfrontim” mes vendorëve dhe ndërkombëtare për çështje strategjike, atëherë duhet ta kuptojmë se Kosova ka kaluar në binarë të gabuar, që mund t’i vejë në dyshim të arriturat e deritanishme, pasojat e të cilave mund të jenë të paparashikueshme. Mesazhet që vijnë nga burokratët e BE-së, qoftë në Kosovë apo Bruksel, besoj se duhet të na alarmojnë për faktin, se po rritet disponimi negativ për Kosovën, që cili kërkon rishqyrtimin e qasjes së BE-së në raport me Kosovën.

Gjendjet e tilla “konfrontuese” në Kosovë, si kjo e ditëve të fundit, përveç që po i forcon argumentet e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës brenda BE-së, dhe përtej saj, edhe po i shton zërat në favor të rishikimit të qasjes ndaj statusit të Kosovës. Për me shumë, kjo qasje populiste e lidershipit politik në Kosovë, po venë në rrezik atë që kemi ndërtuar për vite, ngase manipulimi i masës për interesa të ngushta që lidhen me pushtetin, mund të rezultojë me një përmbysje të të gjithë sistemi apo situatës.

(Autori ka magjistruar për politikë të jashtme dhe punon si gazetar i politikës)

Exit mobile version