Site icon Telegrafi

Manifesta 14 shpall kornizën konceptuale të bienales nomade

Konferenca e Manifesta 14 në Prishtinë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Sot më 5 prill në Prishtinë, Manifesta 14 shpalli me gëzimin më të madh kornizën konceptuale të bienales nomade, e cila do të hapet më 22 korrik 2022.

Manifesta 14 po ashtu ka kënaqësinë të ndajë listën e pjesëmarrësve për bienalen e sivjetme. Përmes katër shtyllave qendrore, programi përpiqet të shndërrojë modelin bienal në katalizator bashkëpunues për sjelljen e ndryshimeve shoqërore.

Korniza konceptuale e Manifestës

Konferenca e Manifesta 14 në Prishtinë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Si një nga kryeqytetet më të reja të Evropës dhe si kryeqyteti i Kosovës, Prishtina është bërë epiqendër e një modeli bienal alternativ. Edicioni i 14-të i Manifestës rimendon relevancën e një bienaleje ndërkombëtare në një botë paspandemike. Duke punuar bashkërisht me urbanistë, profesionistë kulturorë, artistë dhe mendimtarë kosovarë, Manifesta 14 vepron si inkubator i përkohshëm në qytet, si një platformë për prodhimin e diturisë dhe të praktikave bashkëpunuese dhe novatore. Programi u shërben nevojave dhe interesave të komuniteteve kosovare duke krijuar projekte të qëndrueshme dhe duke u falur mirënjohje të shumëmerituar ndërkombëtare talenteve vendase. Manifesta parasheh që intervenimet artistike dhe urbane do të bëhen katalizatorë për shndërrim urban në qytetin e Prishtinës me qëllim të rimarrjes së hapësirës publike në planin afatgjatë.

Lexo po ashtu Manifesta për herë të parë në Prishtinë, flet drejtoresha Hedwig Fijen: Dëgjojeni njëri-tjetrin, durojeni njëri-tjetrin

Pas dy vitesh pandemie, Bienalja Nomade Evropiane Manifesta ka intensifikuar synimin e vet për të zhvilluar modele më të qëndrueshme bienale duke bashkëkrijuar struktura dhe pronësi afatgjate të projekteve që nis me komunitetin kosovar dhe për të. Një element kyç i kësaj përpjekjeje brenda Manifesta 14 është transformimi i Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në një Qendër për Praktika Rrëfyese: në një hapësirë të përhershme shumëfunksionale për lagjet lokale dhe rajonale dhe për komunitetin artistik. Rimendimi i kornizës bienale po ashtu ka shpënë te krijimi i shkollës së parë të ndërmjetësimit në Kosovë, duke ofruar trajnim për të rinjtë dhe të rejat dhe duke ndërtuar infrastrukturën për vazhdimin e praktikave të tilla. Në edicionin e 14, Manifesta ka zhvendosur fokusin nga temporaliteti në konsistencë, nga ngjarjet ekspozuese kalimtare në krijimin e praktikave më të qendrueshme dhe përfshirëse. Kjo qasje e re strukturore do të vlerësohet përgjatë bienales dhe mbase do të zbatohet si model për edicione të ardhshme të Manifestës.

Konferenca e Manifesta 14 në Prishtinë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Programi artistik 100-ditor i Manifestës me titullin ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të
rrëfejmë tregime ndryshe sillet rreth Vizionit Urban të zhvilluar nga CRA-Carlo Ratti Associati dhe gjetjet e Konsultimeve Qytetare, një Studim Publik komunitar i kryer në procesin parabienal. Nevojat urgjente të shprehura nga qytetarët e Prishtinës përfshijnë rimarrjen e hapësirës publike, forcimin e demokracisë pjesëmarrëse, zgjerimin e infrastrukturës kulturore përtej kufijve të qytetit të brendshëm, etablimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të mirëqenies, rritjen e diversitetit dhe përfshirjes në fushat kulturore dhe gjelbërimin e Prishtinës. Manifesta ka përkthyer këto gjetje në projekte artistike, urbanisitike, edukative dhe ekologjike, të cilat së bashku formojnë katër shtyllat e programit. Për këto mund të lexoni në vazhdim.

Pjesëmarrësit

Pjesëmarrësit do t’i paraqesin veprat e tyre në 22 lokacione në tërë Prishtinën. Nga 40 ndërhyrjet artistike dhe urbane, 32 vepra janë konceptuar posaçërisht për Prishtinën. Programi ka bërë bashkë mbi 77 pjesëmarrës duke përfshirë 17 kolektive nga 32 shtete, duke përfshirë 37 pjesëmarrës nga Kosova dhe 16 nga Ballkani Perëndimor. Kështu, 48% për qind e programit përbëhet nga kosovarët, duke përfshirë projekte të porositura përmes Thirrjes së Hapur për Projekte Kosovare të Manifestës, e cila është pjesë vendimtare për përfaqësimin e botës së pasur kulturore të Kosovës.

Programi – katër shtyllat

Konferenca e Manifesta 14 në Prishtinë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Katër shtyllat qendrore të programit të Manifesta 14 në Prishtinë janë: ish-hapësira industriale e Fabrikës së Tullave; Hoteli Grand, i ndërtuar gjatë periudhës jugosllave; Qendra e re për Praktikë Rrëfyese në ish-Biblotekën “Hivzi Sylejmani” dhe një shumësi ndërhyrjesh artistike dhe urbane në qytet, të cilat kanë qëllimin e rimarrjes së hapësirës publike në planin afatgjatë. Këto janë qëndisur së bashku si pjesë e një parcours që mbledh të gjitha hapësirat publike dhe ngjarjet brenda një programi kompakt, i cili u mundëson vizituesve të ndërveprojnë me historitë e vendeve ku do të shfaqen këto ndërhyrje. Vizituesit që vijnë për herë të parë në Prishtinë nuk do të zbulojnë vetëm programin e Manifesta 14, por edhe gjallërinë dhe arkitekturën mahnitëse e të larmishme të qytetit, ndërkohë që banorët do ta shohin qytetin e tyre në një dritë të re. Parcours-i ngërthen hapësirat publike të identifikuara nga Vizioni Urban i CRA-Carlo Ratti Associati si hapësira publike kyçe që duhet të rimerren dhe të përtërihen nga qytetarët. Manifesta 14 po ashtu ka krijuar një parcours rajonal, i cili lidh programin e Prishtinës me partnerë kulturorë rajonalë përmes Projektit të Manifestës në Ballkanin Perëndimor dhe ndërton një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunues.

Qendra e Manifesta 14 për Praktika Rrëfyese

Konferenca e Manifesta 14 në Prishtinë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Manifesta 14 do të themelojë për herë të parë në historinë e saj një Qendër për Praktika Rrëfyese, e cila do të shpërbejë si hapësirë e përhershme kreative e ndërdisiplinare në ish-Bibiliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë. Duke u nisur nga nevojat e shprehura nga komuniteti vendës, ky institucion i ri do të forcojë sektorët artistikë, kulturorë dhe publikë në qytet. I paraparë si projekt afatgjatë dhe i bazuar në komunitet, Qendra për Praktika Rrëfyese do të ofrojë aktivitete për njerëz të të gjitha grup-moshave: do të përfshihen arkivimi, organizimi i bibliotekave, kopshtaria, rrëfim, podkastet, publikimet dhe performancat. Krahas programit të gjerë edukativ, kjo qendër po ashtu do të mbartë një numër ndërhyrjesh artistike.

Hoteli Grand

Konferenca e Manifesta 14 në Prishtinë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Hoteli Grand në Prishtinë ka qenë dikur pikëtakim për qytetarët, zyrtarët dhe politikanët gjatë epokës jugosllave. Në ditët e sotme, kjo ndërtesë trembëdhjetëkatëshe mbetet kryesisht e papërdorur. Historia mahnitëse dhe e trazuar e Grandit e bën lokacion qendror për të eksploruar një çështje tepër të rëndësishme për Manifesta 14: çfarë roli luajnë arti dhe mendimi kritik për rrëfimin e tregimeve, për nxitjen e angazhimit politik, për të katalizuar këndelljen, përtërirjen dhe transformimin? Një eksplorim tematik dhe një numër ndërhyrjesh artistike të shpërndara përbrenda hotelit do t’i ftojnë vizituesit të shqyrtojnë hotelin dhe historinë e tij. Kjo shtyllë do të pasqyrojë historitë e tranzicionit, migrimit, ujit dhe kryeqytetit, dashurisë, ekologjisë dhe spekulimit.

Fabrika e Tullave

Konferenca e Manifesta 14 në Prishtinë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Hapësira e madhe e fabrikës pasindustriale të tullave me vendndodhje jashtë qendrës së qytetit do të mbartë një qendër për mësim ekourbanistik, bashkëpunim dhe rekreacion që synon të lidhë Prishtinën me zonat rurale. Ajo do të merret drejtpërdrejt me sfidat e shprehura nga CRA-Carlo Ratti Associati dhe MIT Senseable Lab në Vizionin Urban që është zhvilluar përmes procesit studimor të Manifesta 14. Projekti i mësimit ekourbanistik do të zhvillohet dhe programohet nga arkitektët e shpërblyer të raumlaborberlin. Programi i tyre pjesëmarrës do të ndërthurë kohën e lirë me mësimin përmes arkeologjisë, hartëzimit, rrëfimit të historive, muzikës, ndërtimit, kopshtarisë, gatimit dhe ushqimit.

Ndërhyrjet Artistike dhe Urbane

Konferenca e Manifesta 14 në Prishtinë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Do të ketë ndërhyrje artistike në 22 lokacione në Prishtinë, të cilat do të përfshijnë sheshe, bulevarde, si dhe kinema dhe një observator. Manifesta 14 Prishtina do të ndërveprojë me lokacione që mbartin rëndësi historike e bashkëkohore për qytetin, duke paraqitur vepra nga pjesmarrës me projekte të posaçme. Përveç ndërhyrjeve artistike dhe parcours-it do të ketë edhe ndërhyrje urbane anekënd qytetit që do të paraqesin investime afatgjate në shndërrimin urban të Prishtinës. Këto do të përfshijnë Korridorin e Gjelbër, projekt i cili do të transformojë një pjesë të hekurudhës së papërdorur Prishtinë-Beograd në trotuar dhe hapësirë të gjelbër që do të lidhë Fabrikën e Tullave me Pallatin e Rinisë dhe Sportit në zemër të qytetit. Komuniteti do të përfshihet në mbjelljen, dizajnimin dhe mirëmbajtjen e korridorit me këshillimin e CRA-Carlo Ratti Associati dhe me bashkërendimin e UN Habitat dhe Komunës së Prishtinës. Në bashkëpunim të ngushtë me administratën publike, ky projekt do të nxisë ndryshime afatgjate mjedisore në qytet. /Telegrafi/

Exit mobile version