Site icon Telegrafi

Mania e liderit të dobët dhe koncesionari i radhës

Kohëve të fundit po flitet për bisedime të reja tashmë politike me Serbinë. Ajo që po e veçon Kosovën janë bisedimet si dhe koncesionet. Por ky karakterizim nuk po i sjellë dobi vendit përveç amullin e shumtë sociale dhe jetësore. Qysh nga viti 1999 e këtej ndërkombëtarët krijuan një terren amfib politik i cili nuk bazohej në vullnetin e popullit, por në gatishmërinë e disa politikanëve për të hyrë në koncesione në emër të popullit.

Kjo ndodhi për një arsye të thjeshtë sepse në Kosove asnjë grup politik nuk e mori vendin e udhëheqësit mbi bazën demokratike të të zgjedhurit, por mbi fenomenin e manipulatorit më të zot. Dhe kur në krye të vendit vije përmes vullnetit të shtrembëruar të sovranit dhe kur po ai vullnet tjetërsohet, atëherë kemi të bëjmë me një kaste manipulatoresh të strukturuar mbi baza partiake të cilat përfaqësojnë një interes të paracaktuar grupor e individual, por asnjëherë shtetëror dhe social. Programi partiak dhe premtimi publik në shoqërinë tonë thuajse ishte i huaj apo thënë më mirë ishte trampoline në rrugën drejt pushtetit dhe harrimi i shpejt të njëjtit premtim.

Vitet e para të pasluftës ishin vitet e etatizmit dhe një kolonializmi që ushtronte UNMIK-u dhe palët e kontraktuara si pushtetarë nga zgjedhjet e manipuluara. Ky pushtet i strukturuar mbi disa shtylla udhëheqëse rregullative, dhe me politiken e joshjes se dhënies se kompetencave, artikuloj një retorike politike denigruese edhe te vetë politikanët tanë të cilët gjenin arsyetimin e moskompetencës.

Avazi i turpshëm politik rrugëtoi deri me 17.02.2008 kur kasta politike e deriatëhershme lexoi kujdesshëm dokumentet dhe aktet ndërkombëtare për Kosovën të cilat kishin një dykuptimësi, ku të njëjtat ia lejonin popullit që të vendoste për fatin e tyre. Habia është aty që po këto dokumente përdoreshin nga ndërkombëtaret për zënien e frymës ndaj politikës se vendit e cila thuajse ishte rob i vetvetes, injorancës, amatorizmit dhe mbi të gjitha ishte rob i korrupsionit të përbashkët vendor dhe ndërkombëtarë. Korruptimi i politikës së vendit e kishte stërkeq këtë grup njerëzish sa thuajse nuk guxonin ta tejkalonin vetveten dhe t’i mbronin interesat e popullit. Këta të njëjtit bënin lojën e dosjeve, apo thënë më mire të fshirjes se dosjeve korruptive që i ngjante lakut politik të cilin e përdornin ndërkombëtarët.

Edhe vet pavarësia erdhi në formën koncesionare. Andaj kemi një Pavarësi sui generis, ku arkitekti e paketon dhe me një të rënë të dorës në kapitullin e parë kërkon që shteti sui generis të mos ketë mbamendje kolektive dhe kujtesë kombëtare si dhe shpërbënë një kulturë religjioze duke tentuar ta pronsoj atë. Mbi këtë bazë populli kavilje fillon ta rrotulloj rrotën e fajit të politikës së tij, në të cilën kurrë nuk kishte hise. Kjo paketë koncesioni ishte testament i margjinalizimit të shumicës në raport me diskriminimin pozitiv të pakicës sa thuajse pak dallon nga veprim politik racizmi i pakicës ndaj shumicës.

Çfarë na bën të dallojmë?

Rruga që sot shqiptarin në Kosovë e bën të dalloj nga të tjerët është shpërfytyrimi i qenies së këtij të fundit në emër të shtetit. Këtu hyn MANIA E TË DOBTIT, por jo për fajin e popullit sa për amatorizmin e liderthëve koncesionar të bisedimeve. Udhëheqësi ynë politikëbërës nga i pari e tutje tentoj të bëhet palë në tavolinën ku asnjëherë nuk u pranua si palë. Kjo mbase qysh në fillim u determinua si palë pengu nga Serbia në raport me interesat shtetërore të sajë të cilat i kishte vënë shteti Serbë me bashkësinë ndërkombëtare. Grupet përfaqësuese negociatore të Kosovës çdo here ishin fleksibile meqë ato kishin humb sensin e interesit kombëtarë duke mos e thënë se cili ishte interesi kombëtar. Njëkohësisht ishin të t’huajsuara kur tentohej që të grumbulloheshin grupet e interesit në këto bisedime ku të njëjtat luanin koncesionarin për interesin grupor në kurriz të popullit.

Kur hyhet në bisedime rregullat janë që palët e interesat të identifikohen, t’i shtrojnë prioritetet e tyre respektive dhe t’i vënë temat e diskutimit duke qëndruar nën stemat representative shtetërore. Por këto elemente nuk ishin karakteristik e palës sonë (dhe nuk janë) sepse pala e Kosovës ishte pala e interesave grupore dhe jo e interesit të popullit, ngase populli kishte kohë që e kishte thënë interesin e tij dhe vijën e kuqe e kishte të artë, ndërsa bisedat po bëheshin pikërisht mbi vijën e kuqe dhe për vijën e kuqe.

Ndoshta loja që së pari të tjetërsohet kundërshtari duke e fut në mjerimin ekonomik e social e kishte bërë efektin e tij. Shoqëria jonë karakterizohej (dhe vazhdon të mbetet) për varfërinë më të madhe në Evropë e me gjerë, për papunësinë më të madhe në kontinent e jashtë tij. Por mbi të gjitha shoqëria jonë karakterizohej për durimin dhe shpresën e cila u shpërfill dhe u bë objekt loje ku pasojat pritet të vijnë.

Bisedimet e reja në format e vjetra!

Tash kur mund të vijmë në disa përfundime në favor të popullit si një shtet, ato nuk po marrin udhë pa ushqimin e politikës së brendshme e që janë bisedimet. Pikat e determinancës sonë si shtet sot janë kushtetuta parlamenti dhe shtyllat e tjera të një shteti. Po iluzioni qëndron pikërisht në bazamentin e shtetit. Kur politika jonë sot flet për sovranitetin, shteti ynë në një pjesë të mirë nuk është i kontrollueshëm dhe mbi të gjitha shtrirja e sovranitetit mbetet vullnet i bisedimeve dhe jo obligim i kushtetutës. Iluzioni fillon e rritet kur zëri I popullit që është Kuvendi nxjerr vendimin për bisedime atëherë kur bisedimet fillojnë e numërojnë ditët (tash kur këto bisedime kanë dështuar, kuvendi denjon të kuvendoj rrugët e tjera). Pra zëri i popullit është një atu anteportas e politikës.

Zhvillimet e bisedimeve janë diçka që po vënë në pah amatorizmin tonë politik dhe vullnetin e tjetërsuar të popullit. Atëherë kur nuk je palë, ti nuk merr vendime, por vendimet merren nga palët për pengun. Dhe pikërisht prezenca jonë në këto bisedime vërteton pengun shtetërorë që është Kosova ku manifestohet politikisht si koncesionar përkundrejt palëve te interesit në bisedime që janë Serbia dhe Brukseli. Këtu ndahen e kristalizohen pozicionet dhe zonat e interesit në vijë me influencën shtetërore që nuk e kemi.

Në tavolinën e bisedimeve flitet për Kosovën në aspektin politik si zonë e influencës serbe, në rrugëtimin që politika serbe do ta ketë me Bashkimin Evropian dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit, por nuk bisedohet për Kosovën si shtet potencial për anëtarësim në BE. Në Bruksel flitet për doganat dhe elementet e tjerë shtetërorë që i ka një shtet dhe këtë e bënë Serbia me Bashkimin Evropian, e cila para se të marr të drejtën e anëtarësimit duhet t’i përmbush edhe kushtet e rregullimit të brendshëm administrativ dhe rregullativ brenda shtetërorë. Dhe këtë po e bene qartë Serbia e cila thuajse po e bënë një ndarje zonale doganore brenda shtetit të saj, sepse nuk guxon që një shtet të ketë shtete brenda shteti dhe kjo po e formalizon një strukturë brenda shtetit si zonë tjetër doganore. Pikërisht këtu po e gjen koncesionarin që është Kosova politike e cila thirret mbi interesin e popullit.
Prandaj Kosova dhe delegacioni i cili përfaqëson pengun e vendit duhet të rezonoj se çfarë është e drejtë dhe e dobishme në këto bisedime dhe jo siç është vepruar deri tani që nuk është dit çka është falë e çka është shitë. E vërteta në këtë mes është se Kosova nuk guxon të shtrihet në rrafshin e bisedimeve ku preket tërësia territoriale e aq më pak ku shkelet kushtetutshmëria e vendit. Dhe mbi të gjitha adutin bazë për gjithçka që vendoset për vendin dhe të ardhmen duhet ta ketë vetë populli dhe jo e kundërta që ky vullnet të bëhet kartë e politikës për rregullimin e interesave të palës së tret.

Se ku është populli në këtë mes nuk e di, apo ndoshta kemi të bëjmë me një TË PANJOHUR . Nocioni i komponentit të panjohur mund të përmblidhet në liritë dhe shprehjen kolektive si e drejtë universale. Mbi bazën e perceptimit, interesit dhe racios njeriu shfaq bindjen e tij. Kur vullneti bashkohet në shumë frymë reprezentuese kemi të bëjmë me një paraqitje kolektive shprehëse dhe ky vullnet është POPULLI.

Në momentin kur populli e shpreh si të drejtën e tyre vullnetin kolektiv me bazë programore, atëherë kemi të bëjmë me VETEVENDOSJE edhe kjo është e drejtë universale që garanton shtëpia e botës. Prandaj në qoftë se sot do të vendosim diçka për popullin pa e pyetur popullin, atëherë mallkimi i historisë do të bie mbi ne, dhe po u bë që vullneti i popullit të tjetërsohet si kartë politike duhet të kemi kujdes ngase sot do të jemi HERONJËT E DITËS, POR TRADHËTARET E KOHËS.

Exit mobile version