Telegrafi

Manhart përgatit versionin edhe më të fuqishëm të Mercedes-AMG SL63

Kompania Manhart që merret me modifikimin e veturave, na sjell veprën e ardhshme të “artit” – bëhet fjalë për gjeneratën e re të Mercedes “open air” me dy ulëse, që fshihet prapa emrit SL 800 R që e vë në lëvizje motori me 800 kuaj-fuqi.

Gjiganti gjerman ka përdorur versionin më të fuqishëm të “roadsterit” të Mercedes SL-Class (R232), që e vë në lëvizje motori i AMG, 4-litërsh biturbo V8, transmeton Telegrafi.

Në Wuppertal deri më tani kanë publikuar vetëm dy fotografi të SL-së, por tashmë dihet se blerësit mund të llogaritin në 800 kuaj-fuqi, e fuqia motorike bartet në të katër rrotat (4Matic) falë ndërruesit automatik me nëntë shpejtësi.

Përveç aplikacioneve, karakteristikë tjetër është ngjyra në karroceri – pra e arta me të zezë. Nuk ka dyshim që Manhart SL 800 R do të jetë më i shpejtë sesa versioni standard i Mercedes AMG SL63, që shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë e arrin për 3,6 sekonda, kurse shpejtësia e tij maksimale është 315.

Çmimi i “bishës” nuk është bërë i ditur, kurse katalogu për porosi është i qasshëm për blerësit potencial. /Telegrafi/