Ndonëse Qeveria e Kosovës, i ka dhënë dritën jeshile vazhdimit të mandatit të EULEX-it për dy vitet në vazhdim, për këtë çështje kërkohet votimi edhe në Kuvendin e Kosovës. Madje për votimin e letërkëmbimit në mes të presidentit Thaçi dhe përfaqësuese se Bashkimit Evropian, Federica Mogherini kërkohen votat e 2/3 të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Koalicioni qeveritar PDK-LDK dhe minoritet disponojnë se paku mbi 80 vota në Kuvendin e Kosovës. Por, jo zyrtarisht thuhet se janë disa deputetë të PDK-së të cilët kanë paralajmëruar votë kundër vazhdimit të mandatit të këtij misioni.
Dyshohet se edhe Lista Serbe ka kushtëzuar votat për EULEX-in.
Nëse situata te partnerët e koalicionit është e paqartë, krejtësisht ndryshe qëndrojnë punët tek partitë opozitare. Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, e cila u është rikthyer punimeve në Kuvendin e Kosovës, ka paralajmëruar votë kundër për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.
Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma e Kosovës, nuk priten të marrin farë pjesë në seancën e nesërme. Aktualisht ky mision ka mbetur pa mandat pasi për disa ditë palët nuk kanë arritur të merren vesh për kompetencat e këtij misioni. Ky misioni kishte ardhur në Kosovë pas shpalljes se Pavarësisë së Kosovës më ftesë të institucioneve vendore.