Përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini, ka njoftuar se do të largohet nga posti i tij pas Kampionatit Botëror 2022 që zhvillohet në Katar, ndërsa ka dhënë tre emra që mund ta zënë vendin e tij.
Trajneri aktual u ka ndihmuar Azzurrëve që ta rikthejnë pozitën e tyre në futbollin evropian duke u kualifikuar në ‘Euro 2020’ me 10 fitore në po aq ndeshje të fazës kualifikuese.
Mancini e ka bërë të ditur se dëshiron t’i kthehet futbollit në klube pas Kampionatit të ardhshëm Botëror.
“Nuk do të jem trajner i ekipit kombëtar pas Kampionatit Botëror 2022. Do të kthehem të drejtoj ndonjë klub”, ka thënë ai për Tiki Taka.
Gjatë intervistës, strategu italian ka folur edhe për kandidatët që mund ta zëvendësojnë atë dhe ka përmendur emra, si Massimiliano Allegri, Carlo Ancelotti e Gian Piero Gasperini.
“Allegri, Ancelotti dhe Gasperini, për shembull, ata mund ta drejtojnë ekipin kombëtar”, është shprehur Mancini. /Telegrafi/