Trajneri i Interit, Roberto Mancini, ka dhënë një intervistë të gjatë për calciomercato.com, ku ka prekur shumë tema, duke nisur nga e ardhmja e tij, që duket në dyshim nëse nuk arrihet vendi i tretë.
“Jam i qetë dhe optimist, sepse e njoh mirë futbollin dhe e di si ndryshojnë gjërat në futboll. Në fillim të kampionatit donin të largonin Allegrin, ndërsa tani Juventusi duhet t’i bëjë kontratë 20-vjeçare. Ndërsa unë në fillim isha i paprekshëm dhe tani nuk më duan tek Interi”.
Në lidhje me pesimizmin e tifozëve për investimet e pakta të presidentit Erick Thohir.
“Nuk është puna ime të kontrolloj llogaritë e Interit. Është vetëm çështje kohe dhe ky klub do të kthehet i madh. Thohiri ka investuar dhe do të investojë, kam besim të madh tek ai”.
“Nuk e di a do të vijë Banega, e di klubi. Është një lojtar i zoti, shumë teknik, një titullar i Argjentinës. Edhe turku Erkin është lojtar i mirë”.
Në fund, foli edhe për serbin Adem Ljajic, i cili është talent i madh, por jo shumë i ekuilibruar në sjellje.
“Un sillesha si ai kur isha 16 vjeç, por jo kur shkova 25. Ljajiç ka cilësi të mëdha, por ai duhet të mendojë si një profesionist i madh, sepse karriera e futbollistit është e shkurtër dhe mbaron shpejt. Nëse sillet në mënyrë të gabuar, është një humbje e madhe për të”, ka thënë Mancini. /Telegrafi/