Në Olimpico të Romës, këtë të shtunë, Interi luan ndeshjen kryesor të sezonit.
Zikaltërit kanë si objektiv kryesor ta përfundojnë kampionatin në vendin e 3-të, por në rast të një rezultati negativ ndaj verdhekuqëve të Spalettit, skuadra e Roberto Mancinit do të kishte me të vërtetë shumë pak shanse për tu renditur në këtë pozicion, pasi aktualisht diferenca mes Romës dhe Interit në klasifikim është 5 pikë.
Kryeqytetasit vinë në këtë ndeshje pas 8 fitoreve radhazi, por pavarësisht ecurisë fantastike që ka pasur Roma gjatë muajve të fundit, Roberto Mancini beson te Interi i tij, dhe është i bindur se zikaltërit i kanë të gjitha mundësitë për të fituar në Olimpico.
“Do të jetë një ndeshje në të cilën mund të ndodhë gjithçka. Roma është në formë, është një skuadër e fortë dhe nuk duhet të harrojmë as faktin që e filloi sezonin me objektivin për të fituar titullin”.
“Në një kampionat të tillë si ky është e vështirë të thuash nëse një ndeshje e tillë mund të jetë vendimtare ose jo. Sigurisht që sfida e Olimpicos është delikate dhe e rëndësishme dhe mund tu japë një sinjal edhe skuadrave që ndjekin nga pas. Futbollistët e mi janë të përqendruar dhe të qetë. Ne do të shkojmë në Romë për të fituar”, ka thënën Mancini.