Telegrafi

Manchester United merr vendimin përfundimtar për të ardhmen e Amrabat

Sipas raportimeve nga Anglia, Manchester United ka vendosur që të mos aktivizojë klauzolën e blerjes për Sofyan Amrabat, andaj ai do të rikthehet në fund të sezonit tek Fiorentina.

Reprezentuesi maroken kërkoi me ngulm transferimin e tij në “Old Trafford” gjatë tërë verës dhe më në fund ishte kompletuar më datë 1 shtator 2023.

Ishte një transferim në formë huazimi që i kushtoi Unitedit nëntë milionë euro, por kishte të përfshirë opsionin e blerjes përfundimtare të kartonit në vlerë prej 20 milionë eurosh plus pesë milionë euro tjera bonuse.

Negociatat mes klubeve vazhduan për një kohë të gjatë për shkak se Fiorentina kërkonte mbrojtje në rast se Manchester United nuk e bën transferimin e Amrabatit të përhershëm.

Lexo po ashtu Stafi i Manchester United refuzoi një kërkesë të çuditshme nga lojtarët pas humbjes ndaj Fulhamit

Kjo është aryseja pse huazimi i tij kushtoi plotë nëntë milionë euro dhe Amrabat gjithashtu nënshkroi kontratë të re me Fiorentinën.

Tani Manchester Evening News ka raportuar se ai do të rikthehet në Florence, ani pse ai me gjasë nuk do të mbetet as pjesë e tyre, pasi ka prishur raportet me tifozët e klubit.

Amrabat ka bërë 12 paraqitje në Ligën Premier për Manchester United, ndërsa pesë të tjera kanë ardhur në Ligën e Kampionëve, si dhe dy në EFL Cup./Telegrafi/