Randal Kolo Muani ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm të parin me fanellën e Eintracht Frankfurt.
Sulmuesi francez iu bashkua skuadrës gjermane si lojtar i lirë në verën e vitit 2022 nga Nantes, derisa vlera e tij është rritur jashtëzakonisht shumë.
Në 46 ndeshje zyrtare të zhvilluara në të gjitha garat, Kolo Muani ka shënuar 23 gola e ka asistuar në 17 të tjera duke zgjuar interesimin e top klubeve evropiane.
Së fundmi Manchester United ka kontaktuar direkt Frankfurtin për lojtarin, por janë tronditur nga çmimi që ka kërkuar skuadra gjermane prej 100 milionë eurove.
Sipas asaj që ka njoftuar The Mirror, Djajtë e Kuq janë tronditur nga kërkesat e Frankfurtit pasi nuk janë në gjendje të paguajnë 100 milionë euro për francezin.
Djajtë e Kuq janë tërhequr nga gara për francezin dhe tani në garë për të kanë mbetur skuadrat e tjera si PSG, Bayern Munich, Real Madrid dhe Chelsea.
Përkundër sezonit të jashtëzakonshëm që ka pasur Kolo Muani, duket e vështirë që ndonjë skuadër t’i plotësojë kërkesat e Frankfurtit prej 100 milionë euro. /Telegrafi/