Telegrafi

Manchester United bën çmendurinë në kohën shtesë, heroi McTominay shënon dy gola në rikthimin fantastik

Manchester United ka fituar 2-1 me përmbysje të rezultatit ndaj Brentfordit, xhiro kjo e vlefshme për javën e tetë në elitën e futbollit anglez.

Mysafirët kaluan në avantazh në minutën e 26-të të takimit pas golit të shënuar nga Mathias Jensen i cili u asistua nga Yoanne Wissa.

“Djajtë e Kuq” hasën në rezistencë të fortë nga mbrojtja kundërshtarë dhe nuk arritën të krijojnë ndonjë rast të mirë shënimi në pjesën e parë.

Rikthimi i madh i Manchester United erdhi në minutat e fundit të ndeshjes ku protagonist kryesor ishte McTominay me dy gola të shënuar.

Skocezi fillimisht shënoi në minutën e 93-të për të barazuar shifrat në 1-1 dhe më pas katër minuta më vonë më saktësisht në minutën e 97-të për të kompletuar rikthimin e rezultatit.

Pas kësaj fitoreje, Manchester United ngjitet në pozitën e nëntë në Ligën Premier me 12 pikë të grumbulluara, teksa këto tri pikë ishin të mirëseardhura pas dy ndeshjesh pa fitore.

Ndeshjen e radhës në ligë Manchester United e luan në udhëtim ndaj Sheffield United./Telegrafi/