Telegrafi

Manchester City kalon në gjysmëfinale të EFL Cup

Manchester City ka kaluar në gjysmëfinale të EFL Cup që ndryshe njihet edhe si Carbao Cup.

Citzens e kanë eliminuar Oxford Unitedin në çerekfinale me rezultat 1-3, për të kaluar kështu në gjysmëfinale.

Ishte minuta e 22-të, atëherë kur City kaloi në epërsi me anë të Joao Cancelos që u asistua nga Phil Foden.

Pjesa e parë përfundoi me këtë epërsi minimale, derisa në të dytën u shënuan edhe tre gola të tjerë.

Në minutën e 46-të, vendasit i barazuan shifrat në 1-1 me anë të Matt Taylor që pranoi një asistim fantastik nga Shandon Baptiste.

Por, pas katër minutash lojë, Manchester City e riktheu epërsinë me golin e Raheem Sterlingut me një asistim të Angelinos.

Sulmuesi anglez arriti ta shënonte edhe golin e tij të dytë në ndeshje dhe të tretin për Cityn në minutën e 70-të, derisa mori një asistim me Gabriel Jesus.

Manchester City kaloi kështu në gjysmëfinale, ndërsa është kampion në fuqi aktualisht, pasi këtë trofe e fitoi edhe në sezonin e kaluar. /Telegrafi/