Telegrafi

Manchester City dhe Chelsea ndahen në ‘paqe’ në derbin e javës në Ligën Premier

Manchester City dhe Chelsea kanë luajtur baras 1-1 në kuadër të xhiros së 25-të në elitën e futbollit anglez.

Ndeshja nisi furishëm me të dy skuadrat që kishin rastet e tyre për të kaluar në avantazh.

Manchester City rrezikoi e para me anë të Erling Haaland (12’) por goditja e tij me kokë shkoi fare pranë shtyllës.

Chelsea arriti që të shënojë që në rastin e parë të krijuar, kur Raheem Sterling (42’) pas një kundërsulmi të shpejtë asistohet nga Nicolas Jackson për rezultatin 1-0.

Me epërsi minimale të Chelseat u mbyll 45 minutëshi i parë i këtij ballafaqimi.

Pjesa e dytë nisi me dominim të plotë të vendasve, të cilët u vunë në kërkim të golit të barazimit.

“Qytetarët” patën dy mundësi të mira për gol me Kevin De Bruyne dhe Erling Haaland, por porta e Chelseat vazhdoi të mbetet e paprekur. “Blutë e Londrës” patën mundësinë që të shënojnë golin e qetësisë në minutën e 52-të, por Sterling e humbi një mundësi të artë.

Pas shumë tentimeve City e gjeti golin në minutën e 83-të me spanjollin Rodri, i cili u pozicionua mirë për të bërë një gjuajtje e cila përfundoi në rrjetën e Petrovic për 1-1.

Deri në fund rezultati mbeti i paprekur dhe të dy ekipet u desh të pajtoheshin me nga një pikë të fituar.

Pas kësaj ndeshje City shkon në kuotën e 53 pikëve, katër më pak se lideri Liverpool, por me një ndeshje më pak të zhvilluar, Chelsea në anën tjetër tashmë ka 35 pikë dhe nuk ka lëvizur nga vendi i dhjetë./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore