Ministri për Shoqëri Informative dhe administratë Damjan Mançevski në festën e sotme të Ilindenit në Krushevë akuzoi Kryetarin e Shtetit Gjorgje Ivanov dhe tha se “Sot Ivanovi dështoi përsëri të tejkalojë pafuqinë e tij. Ai sot përsëri u përpoq që ta kthejë Maqedoninë në izolim, atje ku e dërguan bashkë me mentorin e tij politik, Nikolla Gruevski. Sot Ivanovi u vendos kundër interesave strategjike të Maqedonisë, kundër BE-së de NATO-s. Sot Ivanovi u vendos kundër të ardhmes së Maqedonisë. Sot Ivanovi u vendos kundër jetesës më të mirë, kundër rrogave më të larta, kundër vendeve të reja të punës. Ivanovi nxiti jotolerancë ndëretnike dhe ndërfetare”.
Sipas Mançevskit, Ivanovi nuk është i denjë për funksionin që e bart. “Për fat të mirë, as Ivanovi, as Gruevski i tij, nuk mund të marrin vendime. Vendimi për jetesë më të mirë në Maqedoni e bartin qytetarët, në mënyrë sovrane dhe në referendum. Ata do të votojnë “pro”, për të ardhmen e Maqedonisë. Do t’i sugjeroj Ivanovit, ta lexojë mirë marrëveshjen dhe të shikon se është i garantuar identiteti dhe gjuha maqedonase, përgjithmonë, për atë për çka kemi luftuar që të gjithë. Do t’i sugjeroj Ivanovit, që t’i lexojë mirë, përsëri, edhe Racinin dhe Përliçevin dhe të gjithë ata që i citonte sot, të cilët asnjëherë si ai, nuk kanë nxitur urrejtje ndëretnike dhe ndërfetare’, tha Mançevski,përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai ju bëri thirrje qytetarëve që në mënyrë masive të dalin në referendum, “në Ilindenin e ri, ku do të shkojmë hap para në të ardhmen tonë të ndritshme, ndërsa izolimi dhe politikanët e së kaluarës, si Ivanovi dhe Gruevski do të jenë të harruar”, tha në fund Mançevski.
Ndërkaq Kryetari Ivanov ë fjalimin e tij të sotshëm, sërish tha se nuk do ta pranojë marrëveshjen me Greqinë dhe se asnjë gjeneratë nuk ka të drejtë të bëjë tregti me emrin dhe identitetin e shtetit duke shtuar pyetjen se çfarë do të bënin Goce Dellçevi dhe Nikolla Karevi nëse do të votonin në referendumin e 30 shtatorit për marrëveshjen me Greqinë./Telegrafi/