Site icon Telegrafi

Manastiri i Shën Marenës, me afresket e Shpatarakut

Manastiri i Shën Marenës në fshatin Llëngë, u inspektua nga afër dhe u dokumentua nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Korçë.

Manastiri përbëhet nga një kompleks vendesh në pronësi të tij, si kisha e Shën Marenës, Konakët, Najazma dhe shpella e Shën Marenës. Vendin kryesor në këtë kompleks e zënë kisha dhe konakët.

Kisha e Shën Marenës është një ndërtese e vogël njënefëshe që përbëhet nga naosi, narteksi dykatësh, hajati jugor i hapur në formë harkade dhe një kambanore me dy kambana. Ambientet e brendshme të saj janë pikturuara të gjitha me afreske.

Kthina e altarit të kishës ndahet nga naosi nëpërmjet një ikonostasi prej druri 6,5 metra i gjatë dhe katër metra i lartë, që për nga stili i dekorimit është i njëjtë me ikonostasët e kishave të Voskopojës dhe Vithkuqit. Tavani i kishës është prej druri dekorativ të pikturuar.

Afreskët e kishës janë ndarë në pesë breza horizontalë të pikturuar nga mjeshtri Kostandin Shpataraku. Ai ka pikturuar gjithashtu edhe disa ikona të ikonostasit, kryqin mbi të, dyert e bukura si edhe një balkadin me 15 figura dhe 17 ikona të vogla. Motivet e pikturuara janë motivet kishtare tipike të kohës si skena nga jeta e Krishtit, Shën Marisë dhe vetë Shën Marenës së cilës i kushtohet kisha. Ato i përkasin që të gjitha periudhës së ndërtimit të kishës, pra vitit 1754. /atsh/

Exit mobile version