Rruga Deçan – Plavë, e paraparë tash e sa vite, ende ka mbetur peng i burokracisë dhe ankesave të Manastirit ortodoks serb.
Kështu ka thënë kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në një ligjëratë në Gjakovë mbi qeverisjen lokale.
Ai tha se manastiri në fjalë po paraqet problem në ndërtimin e kësaj rruge për shkak të kufizimeve që janë vënë për atë zonë.
“Deçani në territorin e vet e ka një Manastir ortodoks serb, i cili është shpallur zonë e veçantë e mbrojtur. Në këtë zonë të veçantë të mbrojtur nuk ndalohet rruga, asfaltimi i kësaj rruge, mirëpo ka kufizime. Në bazë të ligjit, ka dalë edhe një institucion i cili përbëhet nga 7 institucione të tjera, të cilat duhet të mblidhen dhe duhet të vendosin nëse kemi mundësi me ndërhy në këtë pjesë ose nuk kemi mundësi për të ndërhyrë në këtë pjesë”, tha Ramosaj.
Kryetari i komunës së Deçanit ka shpjeguar se kjo është një çështje e vjetër, porse që fatkeqësisht ende nuk ka nisur implementimi i këtij projekti për ndërtimin e kësaj rruge. Madje ai bëri të ditur se puna për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë është dashur të fillojë qysh sot, porse sërish ka qenë e pamundur të fillohet.
“Në 2007-në e kemi bërë përpjekjen e parë. Në atë kohë ka qenë tenderi i fituar. Kompania ka qenë e thirrur, mirëpo na kanë ndërprerë. Është çështje politike. Kemi filluar në 2014-ën, me një bajpas, i cili nuk ka funksionuar për shkak të fizibilitetit. Ndërsa tash e kemi të kontraktuar një kompani, ku vlera e projektit është 12 milionë euro. Kemi pasur të fillojmë me datën 24 mars të këtij viti, nuk kemi mundur të fillojmë për shkak të procedurave administrative dhe burokratike që ky institucion i ka për shkak te ankesave të vet manastirit. Sot në orën 10 ka pasur të fillojë prapë kjo rrugë dhe nuk po bëhet e mundshme që të fillohet”, u shpreh ai.
Megjithatë, Ramosaj është shprehur optimist para studentëve, duke thënë se së shpejti do të fillojë ndërtimi i kësaj rruge, e cila do të bëjë që Deçani të shndërrohet në qendër atraktive për gjithë qytetarët e Kosovës.