Eliminimet e Manchester United dhe Newcastle United nga Liga e Kampionëve ka të ngjarë t’i kushtojnë Ligës Premier me një vend më pak në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Konkurrenca elitare e Evropës është vendosur të pësojë një ndryshim të madh në edicionin 2024-2025.
Nga sezoni i ardhshëm, 36 klube do të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve dhe do të grupohen së bashku në një tabelë të madhe të ligës, në krahasim me 32 ekipe sa janë, duke u ndarë në tetë grupe me nga katër ekipe.
Çdo ekip do të luajë tetë ndeshje, katër në shtëpi dhe katër jashtë, por të gjitha kundër kundërshtarëve të ndryshëm. Pas kësaj faze, tetë skuadrat e para kalojnë direkt në 16-shen e fundit, ndërsa skuadrat e vendosura nga vendi i nëntë deri te i 24-të në tabelë kalojnë në një raund play-off.
Formati i ri, i quajtur “modeli zviceran”, është sjellë nga UEFA në përgjigje të dështimit të idesë për një Superligë Evropiane.
Si pjesë e ndryshimeve, dy ligat me performancën më të mirë në Evropë këtë sezon do t’u jepet një vend shtesë për sezonin 2024/25.
Kjo përcaktohet nga renditja e koeficientit të UEFA-s të secilës federatë për sezonin 2023/24.
Në rastin e Ligës Premier, kjo do të nënkuptonte fitimin e një vendi të pestë në Ligën e Kampionëve.
Në shtatë nga 11 sezonet e fundit, klubet angleze do të kishin arritur këtë vend shtesë bazuar në renditjen e koeficientit të vendit sezonin e kaluar.
Megjithatë, eliminimet e para të fazës së grupeve të United dhe Newcastle nga gara do të thotë se ata janë në rrugën e duhur për të humbur këtë vend vitin e ardhshëm.
Të martën, Djajtë e Kuq’ pësuan një disfatë 1-0 ndaj Bayern Munich, që do të thotë se ata përfunduan në fund të Grupit A dhe humbën edhe Ligën e Evropës.
I njëjti fat i priste Newcastle në St James’ Park të mërkurën në mbrëmje, pasi humbën 2-1 nga Milani për të përfunduar në fund të grupit të tyre.
Si rezultat, Anglia aktualisht renditet e treta me një vlerësim mesatar prej 12.13, pas Gjermanisë (13.36.500) dhe Italisë (13.14) në renditjen e koeficientëve për sezonin 2023/24.
Koeficienti i një federate llogaritet duke mbledhur pikët e marra nga të gjitha klubet, të dhëna pas fitores së ndeshjeve në garat evropiane të klubeve, dhe më pas duke pjesëtuar totalin me numrin e klubeve nga ajo federatë që morën pjesë në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.
Arsenali dhe Manchester City po mbajnë shpresat e Ligës Premier për një vend të pestë në Ligën e Kampionëve, pasi kanë fituar grupet e tyre përkatëse.
Megjithatë, si Gjermania ashtu edhe Italia kanë pasur nga tre skuadra secila që përparojnë në raundet e eliminimit direkt, ndërsa janë gjithashtu të përfaqësuara mirë në garat e nivelit të dytë dhe të tretë të Evropës. /Telegrafi/