Telegrafi

Man City pritet ta prezantojë sot transferimin e sensacionit të La Ligas

Braziliani Savio Moreira thuhet se do të prezantohet sot (e mërkurë) si lojtar i ri i Manchester Cityt.

Bëhet fjalë për një sulmues brazilian që është nën kontratë me ekipin francez Troyes, por sezonin 2023/2024 e kaloi në huazim te Girona, ku shkaktuan befasi duke përfunduar në pozitën e tretë në La Liga.

Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano, marrëveshja u arrit në muajin shkurt dhe tani i takon Pep Guardiolës të vendosë nëse do ta mbajë dribluesin e madh apo do ta huazojë atë.

Nuk dihet se sa do të jetë kompensimi pasi Manchester City, Girona dhe Troyes janë nën të njëjtin pronar.

Savio e filloi karrierën e tij në Atletico Mineiro të Brazilit. Troyes e solli atë dy vjet më parë për dy milionë e gjysmë euro dhe ishte i huazuar te PSV dhe Girona.

Sezonin e kaluar ai luajti 41 ndeshje, shënoi 11 dhe asistoi dhjetë gola.

Ai ka shtatë paraqitje dhe një gol për kombëtaren braziliane dhe Transfermarkt vlerëson atë në 50 milionë euro. /Telegrafi/