Manchester City ka zhvilluar bisedime me agjentin e njohur, Mino Raiola, për sulmuesin e tij yllin Erling Haaland.
Raiola është agjenti i qendërsulmuesit të ri norvegjez, i cili luan për Borussia Dortmund dhe po shkëlqen me klubin gjerman.
Haaland do të ketë një klauzolë aktive lirimi në kontratën e tij këtë verë, por një mori klubesh evropiane duan të sigurojnë nënshkrimin e tij.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, Raiola është takuar me disa skuadra nga Liga Premier dhe vende të tjera për të kuptuar ofertat që mund t’i vijnë Haalandit në verë.
Barcelona, Real Madrid, Manchester United, Chelsea, Liverpool dhe City janë ndër skuadrat që konkurrojnë për nënshkrimin e Haaland.
Dortmundi ka shpresë se mund ta bindë Haaland të qëndrojë në Signal Iduna Park, por do të jetë e vështirë.
Në anën tjetër, klubi nga Etihad shihet si favorit për transferimin e norvegjezit, pasi ka mungesë të qendërsulmuesit dhe ka para të mjaftueshme. /Telegrafi/