Telegrafi

Man City fiton pa vështirësi dhe thellë ndaj Norwichit të Rashicës

Manchester City ka fituar në udhëtim te Norwich City me rezultat të thellë 4-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Ligën Premier.

Ekipi i Pep Guardiolas ka vazhduar formën e lartë dhe dominimin në kampionat duke marrë fitoren e radhës dhe duke çuar në 15 ndeshje serinë pa humbje.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë nga City, i cili përveç rasteve të shumta arriti të shënoj edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 31-të dhe ishte Raheem Sterling, i cili shënoi për 0-1 pas asistimit të Kyle Walker.

Në pjesën e dytë, City ishte i papërmbajtshëm duke dominuar në çdo aspekt dhe duke shënuar edhe tri gola tjerë për të siguruar një fitore të madhe.

Pas vetëm tre minutave lojë në këtë pjesë erdhi goli i parë me anë të Phil Foden që shënoi nga afërsia për 0-2.

Sterling doli në skenë përsëri në minutën e 70-të duke shënuar për 0-3, ndërsa në minutat shtesë kompletoi het-trikun duke shënuar për rezultatin përfundimtar 0-4 pas një topi të kthyer nga penalltia e cila iu prit nga portieri vendas.

Pas kësaj fitore, City e sheh veten në pozitën e parë me 63 pikë apo 12 më shumë se Liverpooli i dyti, por me dy ndeshje më pak, ndërsa Norwichi renditet në vendin e 18-të me 17 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Qytetarët luajnë në shtëpi ndaj Tottenham Hotspur, ndërsa Norwichi udhëton te Liverpooli. /Telegrafi/