Telegrafi

Man City fiton ndaj Fulhamit dhe vazhdon ngjitjen në tabelë

Manchester City ka fituar me rezultat 2-0 ndaj Fulhamit në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të në Ligën Premier.

Ekipi i Pep Guardiolas ka filluar ta gjej formën në kampionat, duke marrë edhe një fitore dhe duke vazhduar ngjitjen drejt kreut të tabelës.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë dhe dominim të vendasve, të cilët përveç rasteve arritën të shënojnë edhe dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm pesë minutave lojë dhe ishte Raheem Sterling, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Kevin de Bruyne.

Për epërsinë 2-0 u përkujdes vet belgu De Bruyne, i cili ishte i saktë nga penalltia në minutën e 26-të.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë, me Cityn që menaxhonte lojën dhe rezultatin, ndërsa Fulhami që tentonte të gjente golin.

Megjithatë, asnjëra skuadër nuk arriti të tund rrjetën përkundër disa rasteve dhe ndeshja përfundoi në fund me fitoren 2-0 të vendasve.

Pas kësaj fitore, City e sheh veten në pozitën e katërt me 18 pikë, ndërsa Fulhami renditet në vendin e 17-të me shtatë pikë.

Në ndeshjen e radhës, Qytetarët udhëtojnë te rivalët lokal të Manchester Unitedit, ndërsa londinezët e presin Liverpoolin. /Telegrafi/