Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna ka thënë se kontrata për shujtat derivon nga qeveritë e kaluara dhe e njëjta mbetët çështje problematike.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se deri më tani nuk kanë ndonjë kërkesës specifike nga komunat.
“Sa u përket shujtave kjo është një çështje që po vazhdon të jetë problematike, është pjesë e një kontrate që derivon nga nënshkrimi i kontratës nga qeveritë e kaluara, gjithsesi është diçka që ne duhet të ballafaqohemi, me aq sa unë kam informata deri më tani nuk është se kemi ndonjë kërkesë specifike nga ndonjë komunë mirëpo në momentin që kjo bëhet natyrisht që do të shohim se cilat janë mundësitë ligjore që këto të adresohen brenda kompetencave që MASHT ka. Deri atëherë vazhdon të jetë një kontratë problematike dhe sigurisht kërkon adresim pak më të gjerë”, ka thënë ajo.
Ajo gjithashtu bërë të ditur se 772 shkolla po punojnë me skenarin e rikthimit, nga 775 institucione arsimore sa janë gjithsej.
“Nga 775 institucione edukative dhe arsimore janë gjithsej 772 që po punojnë me skenarin e rikthimit ndërkaq sipas skenarit A është vetëm një shkollë, sipas skenarit B nuk ka asnjë shkollë, ndërsa sipas skenarit C janë gjithsej dy shkolla. Sa i përket numrit të personave të infektuar me Covid-19 në institucionet edukativo arsimore janë gjithsej 72 mësimdhënës që janë raportuar si persona aktiv me Covid-19, janë 101 pjesëtarë të tjerë të personelit që janë raportuar si raste aktive me Covid-19, ndërsa në grupin e nxënësve ka gjithsej 248 raste aktive me Covid-19”, ka thënë Maloku-Bërdyna për kp.
Maloku-Bërdyna ka deklaruar se janë duke u përgatitur për testin PISA.
“Kosova do të marrë pjesë në testin PISA, janë bërë disa përgatitje, kemi përfunduar fazën e përzgjedhjes së shkollave dhe jemi faktikisht në fazën e kontaktimit të këtyre shkollave ku do të marrim pastaj edhe listën e nxënësve prej të cilave do t’i përzgjedhim nxënësit….Përtej kësaj natyrisht se ne tani angazhohemi në pjesën e pilotimit. Deri më sot kemi përzgjedhur 237 shkolla dhe prej tyre presim që të përzgjidhen rreth shtatë mijë nxënës”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar që pandemia i ka rënduar problemet ekzistuese në sistemin arsimor në Kosovë.