Telegrafi

Malmë pret krijuesit e Diasporës shqiptare

Nga Ramadan Reshitaj

Ky është Festivali i gjashtë me radhë dhe organizohet nga Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi. Sipas organizatorit, në këtë festival, me punimet e tyre letrare dhe ato muzikore, janë paraqitur mbi 30 krijues shqiptarë nga Suedia, shtetet tjera skandinave dhe nga disa shtete të Evropës, në të cilat jetojnë dhe krijojnë shqiptarët.

Festivali do të hapet me promovimin e veprave letrare të krijuesve shqiptarë në diasporë, të botuara brenda dy festivaleve dhe do të shoqërohet me një koktej mirëseardhjeje.
Më pastaj do të vazhdohet me pjesën zyrtare të Festivalit, përkatësisht me prezantimin e krijimeve konkurruese, ku Juria profesionale e Festivalit, do të shpallë punimet më të suksesshme.

Në bazë të vendimeve të Jurisë profesionale, organizatori do të ndajë nga tri shpërblime për punimet më të mira letrare dhe tri shpërblime për punimet më të mira muzikore. Në mesin e këtyre shpërblimeve, do të jetë edhe shpërblimi që ndan piktori i njohur në diasporën shqiptare, Dalip Kryeziu, i cili jeton dhe krijon në Gjermani.

Pjesa e dytë e mbrëmjes do të ketë karakter argëtues, do të shtrohet darka e përbashkët dhe të pranishmit do t´i argëtojë Grupi Muzikor nga Malmë.

Për dallim nga vitet e mëparshme, sivjet në këtë festival do të përfshihen krijuesit nga tërë diaspora dhe në të pritet që të marrin pjesë edhe mysafirë nga Kosova. Risi, gjithashtu do të jetë edhe takimi i krijuesve mysafirë nga Kosova me nxënësit dhe prindërit shqiptarë në disa komuna të Suedisë Jugore, përkatësisht vizitat që do të bëhen në Ystad, në Landskorna dhe në Ängelholm.

Në Festivalin e Poezisë dhe të Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë, janë ftuar të marrin pjesë edhe mysafirë nga Ministria e Kulturës e Kosovës, personalitete të shquara të kulturës dhe të artit nga vendi nikoqir, Suedia si dhe krijues e dashamirë të artit.