Site icon Telegrafi

MALLKIMI PËR KOSOVËN

Xhemail Mustafa (1953–2000)

Titulli i shkrimit që pason dhe konceptet që afishohen tek ai e kanë historinë dhe parahistorinë e vet dinamike. Që të dyja këto përmasa e realitete të mëdha të jetës dhe të artit, pra njësoj si Kosovën, ashtu edhe vetë mallkimin e rëndë për tokën, për popullin dhe për historinë e saj tragjike, i gjejmë thellë të mishëruara dhe të artikuluara në librin e novelave Tri këngë zie për Kosovën të Ismail Kadaresë

Nga: Xhemail Mustafa, botuar në dhjetor të vitit 1998, në Javoren Politike Shqiptare Zëri

ISMAIL KADARE: TRI KËNGË ZIE PËR KOSOVËN

Autor i temave të qenësishme, i sintezave të mëdha dhe i artit të papërsëritshëm, ky shkrimtar i madh letërsinë e vet më të mirë dhe më autentike e vendos dhe e ndërton pikërisht mbi ide, mbi tema dhe mbi situata të veçanta të historisë kombëtare dhe të historisë së njerëzimit. Atij i interesojnë esencat dhe konsekuencat e kësaj historie, proceset dhe faktet e një realiteti dinamik historik, si dhe vetë jehonat dhe interpretimet letrare apo paraletrare të atyre proceseve, të atyre fakteve dhe të atij realiteti.

Duke kërkuar mundësitë për një konkretizim më të madh të temës e të idesë së këtij shkrimi, po theksojmë se çështja e Kosovës, tragjika dhe heroizmi i saj paraqesin një preokupim serioz dhe pothuaj konstant të Ismail Kadaresë. Historia e këtij preokupimi duhet t’i ketë rrënjët thellë në historinë dhe në të kaluarën e popullit shqiptar, të cilën ky autor e njeh dhe e përjeton në mënyrë kaq të gjithanshme dhe kaq intensive. Por, një segment i rëndësishëm i këtij preokupimi pa dyshim lidhet fuqishëm me vetë pranverën e përgjakshme të vitit 1981. Mund të konstatojmë pa asnjë mëdyshje se që nga ajo periudhë Ismail Kadare është njëri nga shkrimtarët e preokupuar thellësisht me Kosovën. Ai vazhdon ta ketë dramën e saj njerëzore e kombëtare temë të letërsisë dhe preokupim të vetin intelektual.

Kronikët e përpikët të jetës sonë letrare, kulturore e kombëtare mund ta kujtojnë se vetëm pak muaj para se të ndodhte pranvera e vitit 1981, e atij viti-kthesë dhe për shumëçka vendimtar dhe paracaktues për Kosovën dhe për shqiptarët, Ismail Kadare qëndroi disa ditë në Prishtinë. Gjatë vjeshtës së vitit 1980 ka qenë e vështirë të lexohen shenjat e asaj që do të ndodhte në Kosovë vetëm gjashtë-shtatë muaj më vonë, në pranverën gjithsesi dramatike të vitit 1981. Por, duket se pikërisht vizita e asaj vjeshte do të jetë ngulitur si një fakt, një motiv dhe një lidhje shpirtërore dhe etike më shumë e këtij shkrimtari të madh me Kosovën, me fatet e me rrjedhat e saj tragjike pararëndëse dhe të mëpastajme.

Le të përkujtojmë se tragjikën e tejtheksuar të Kosovës dhe të popullit të saj, fatet dhe fatkeqësitë e skajshme që lidheshin dhe që vazhdojnë të lidhen fuqishëm me këtë hapësirë të etnisë dhe të etikës shqiptare, ky shkrimtar i madh i pasionit dhe i erudicionit i trajtoi si në poezi, ashtu edhe në prozën artistike, si dhe në shkrimet e veta eseistike. Në një vështrim inspirativ të botuar para pak kohësh për këtë libër të veçantë novelash, Abdullah Konushevci gjente rastin e mirë që të bëjë një regjistër të veprave të Ismail Kadaresë kushtuar temës së Kosovës. Secila nga këto vepra e dëshmon fuqishëm përkushtimin krijues dhe intelektual të Kadaresë, vetë gjenialitetin e tij prej shkrimtari.

Por, me këtë rast duam që t’i shquajmë prozat e njohura e mjaft impresive Baladë për J.G. dhe Krushqit janë të ngrirë, si dhe librin e novelave Tri këngë zie për Kosovën. Ato bëhen dëshmi tepër e fuqishme e këtij përkushtimi krijues të Kadaresë, e frymës elegjiake dhe baladeske të vetë vizionit dhe shkrimit të tij letrar. Brenda këtyre veprave merr frymë dhe vendoset një gërshetim funksional i shtresimeve mitike, i situatave historike dhe i vetë utopisë artistike të autorit. Pikërisht këto esenca të jetës dhe të literaturës bëhen filozofi e krijimit dhe e vetë ekzistimit letrar.

FUSHA E MËLLENJAVE: NJË EMËR PËR PAFAJËSINË …

Ekziston vetëdija fatalisht e pranishme dhe e përsëritshme se Kosova është sinonim i mosmarrëveshjeve, i ngatërresave dhe i vetë tragjedisë dhe kjo vetëdije e gjen riafirmimin e vet të plotë letrar pikërisht në novelat e këtij libri. Autori shkruan se është e vështirë të gjendet në këtë botë një fushë tjetër, ku një tragjedi e vjetër vazhdon të projektojë me të ardhmen, në mënyrë ciklike, drama të tjera, e ky vend me emrin e pafajshëm Fusha e mëllenjave është Kosova. Kjo bindje e shkrimtarit, kjo dije dhe kjo vetëdije e tij krijuese, vetë konstatimi i sipërtheksuar e shumë i veçantë bëhet një laitmotiv i fuqishëm i këtyre novelave, një energji e brendshme e kuptimeve dhe e vet idesë së këtij libri.

Fillimi i kësaj tragjike lidhet me Betejën e Kosovës në verën e vitit 1389, kurse fundi i saj u detyrohet ngjarjeve dramatike dhe tmerrësisht të tashme në Drenicë dhe në gjithë Kosovën. Për t’ia dalë më lehtë me sintetizimin letrar e artistik të një realiteti historik e jetësor kaq të gjerë e kaq kompleks, autori tmerret e sotme dhe tragjeditë e dikurshme të Kosovës i artikulon nëpërmjet novelave Lufta e vjetër, Zonja e Madhe dhe Lutje mbretërore të këtij libri. Këto tri novela sajojnë tërësinë e idesë e të kuptimeve të librit dhe ato paraqesin tri kohë subjektive të një kohe të madhe objektive, siç është koha dhe realiteti historik dhe ai aktual që lidhen me Kosovën dhe me fatin e me fatkeqësitë e popullit të saj. Por, është tema dhe ideja supreme e luftës për liri e për paqe ajo që këto tri novela i bënë mjaft koherente kuptimisht. Brenda tyre artikulohen tri akte të një drame të madhe dhe tri situata të një tragjedie, çfarë ishte dhe çfarë vazhdon të jetë edhe sot tragjedia e Kosovës dhe e popullit shqiptar.

Le të theksojmë se ky libër hapet me novelën për Betejën e njohur të Kosovës, të cilën ai e quan luftë të vjetër, kurse mbyllet me novelën me referenca jetësore e ekzistenciale nga një luftë e re dhe tmerrësisht e tashme. Ky fakt vetvetiu e anticipon dhe e parabolizon fuqishëm tragjikën e sotme, dramën e jetës dhe ciklet e dhunës e të fatalitetit të ekzistimit në Kosovë. Me këtë strukturë të librit, Kadare sikur do të sugjerojë se Kosova ekziston vetëm midis dy luftërave. Autori do të thotë se Kosova e bën jetën e vet vetëm brenda këngëve të kënduara e të rikënduara me pasion për këto luftëra. Ai përpiqet që me veprën e vet t’i ringjallë mallkimet mbi konfliktin e moçëm dhe fatalisht aktual shqiptaro-serb dhe t’i mallkojë ato pikërisht nëpërmjet kësaj ringjalljeje artistike.

Hapësirën dhe vetë esencën e motivimit të konfliktit shqiptaro-serb, Ismail Kadare e gjen në vargjet: Ngrihuni, shqiptarë, Kosovën po e merr shkauDilni, serbë, se shqiptarët na e morën Kosovën. Këto vargje autori i konsideron si fragmente të një kënge të moçme popullore, e cila ndryshohet tepër vështirë dhe këndohet ndër shekuj me armiqësi, si nga shqiptarët, ashtu edhe nga serbët. Pikërisht nëpërmjet këtij artefakti artikulohet origjina, karakterin dhe fataliteti i paracaktuar i këtij konflikti tragjik. Rapsodët e këtyre dy popujve armiqësitë dhe konfliktin historik mes tyre i këndojnë dhe i kujtojnë me një pasion të veçantë edhe në situatat kur rrezikohen për shfarosje nga një kundërshtar i tretë i përbashkët, siç ishte ushtria turke. Kjo është një zgjidhje letrare mjaft funksionale dhe nëpërmjet saj Kadare konfliktin shqiptaro-serb e artikulon si një ritual absurd të historisë, si një ballafaqim të përgjakshëm dhe disi të paracaktuar e ireal.

ANKTHET DHE MAKTHET QË I PJELL LUFTA E VJETËR …

Ky konflikt vjen në kohën dhe realitetin tonë me gjithë peshën e këtij absurditeti. Ideja për këtë përsëritje fatale të historisë artikulohet nëpërmjet vetë ndërtimit të librit dhe kjo strukturë bëhet, në fakt, strukturë e hapur e një jete, e një realiteti, e një historie. Fundusin e kësaj strukture dhe të këtij realiteti e sajon novela Lufta e vjetër, e cila ngjan në një tabllo të ngrystë, plot me tensionime e me situata e me elemente ireale të atmosferës në prak të shpërthimit të Betejës së Kosovës. Subjekte të kësaj atmosfere e të atij ambienti tepër dinamik bëhen lufta, ushtritë, fatet e popujve dhe të mbretërive të tyre. Në plan të parë vendosen personazhet-objekte-fenomene-situata dhe me këtë gjetje letrare autori don të përcjellë mesazhin për fatalitetin dhe për absurditetin e dhunës e të luftës përgjithësisht.

Nuk është e vështirë të konstatohet se të veçantat e rëndësishme të kësaj novele janë situatat, gjendjet, dukuritë dhe veprimet e parëndomta. Ato vendosen në mars, në muajin e hyjnisë së luftës dhe me këtë zgjidhje letrare autori i jep rrëfimit një shtresim dhe një dimension mitologjik dhe mitizues. Realiteti i jetës dhe i luftës krijohen nëpërmjet shenjave jo të zakonshme, tabllove ireale apo gjysëmireale dhe janë pikërisht këto shenja ato që e bëjnë ideografinë e këtij libri, vetë esencën dhe ekzistencën e tij kuptimore dhe artistike. Sidomos shquhen atmosfera e ankthit shpërthyes, egërsimi i pleqëve, rishfaqja e papritur e kujtimeve të vjetra dhe e maktheve, të cilat popujt i bluajnë në vetmi, gjersa vjen një ditë që këto makthe ngjanin të padurueshme dhe bëhen shkas i luftës.

Veçimi i situatave të parëndomta mund të dëshmohet edhe nëpërmjet kultin shqiptar për dasmën e për dasmorët, të cilët, në rrethanat e rrezikut të luftës gjithmonë e bartnin flamurin dhe llogaritnin në mundësinë se papritur mund të detyrohen që të ndërrojnë shtegun e lëvizjes dhe të bëhen luftarë të lirisë. Po sipas vetëdijes popullore mbi borën dhe perceptimin e veçantë të këtij fenomeni, autori shkruan se gjersa ajo ishte në lartësitë e bjeshkëve, s’kishte ushtri që lëvizte dhe s’kishte luftë që fillonte. Fenomeni i lartësive gjeografike, vetë Bjeshkët e Nemuna të Shqipërisë, në Mal të Zi, e gjer te Olimpi i moçëm e te Karpatet marrin kështu një funksion të veçantë në projektimin e atmosferes së luftës. Parashikimeve dhe bisedave për luftën u jepnin një trazim të veçantë njerëzitë e lartësive dhe ajo sikur nuk mund të niste para se ata të zbrisnin nga këto lartësi ngapak ireale.

Një funksion të veçantë në ndërtimin dhe artikulimin e atmosferës së luftës, Kadare u jep pikërisht fenomeneve të natyrës, si mjegulla, tymi, vapa dhe drita. Këto fenomene të natyrës, sidomos metaforat muri i tymit dhe gjithkahnaja e territ, dalin me funksion të theksuar në planin e krijimit të ambientit të luftës, të pasigurisë dhe të pritjes plotë ankthe. Simboli i mjegullës lidhet kryesisht me fshehtësitë e përgatitjes së luftës, ndërsa tymi dhe vapa i detyrohen kryesisht vetë fillimit të luftës, strategjisë së luftimit dhe trazimit shpirtëror para se ajo të përfundojë fatalisht. Njësoj si ushtritë e aleancës së popujve ballkanikë, ashtu edhe ushtria turke para se të fillojë beteja ndezin zjarre dhe krijojnë mure tymi para tendave të veta dhe me këto veprime strategët e luftës pretendonin të fshehnin jo vetëm mëritë mes ushtrive kundërshtare, por edhe vetë përmasat e atyre ushtrive.

Magjinë e atmosferës së tendosur dhe pasigurinë çuditërisht të padefinuar para shpërthimit të luftës, autori i kësaj novele e projekton nëpërmjet theksimit të veprimeve dhe të situatave krejtësisht të pazakonshme. Gjeste dhe veprime të këtilla mund të konsiderohen ndërrimet e papritura dhe mistifikuese në piramidën e pushtetit e të ushtrisë turke, intrigat diplomatike dhe thashethemet politike, si dhe vetë stimulimi i përhapjes së tyre nëpërmjet korrierëve llafazan e gjuhëprerë. Kuadrin e këtij ambienti jetësor përplotë me gjëra të jashtëzakonshme e bëjnë më të plotë dhe gjithsesi më impresiv fakti se bota ishte plot me fjalë atë pranverë, kurse njerëzit manifestonin një prirje të theksuar për ta besuar pjellën e fantazisë. Kur kësaj i shtohet vetë ngutja e grave që të mbesin shtatëzana derisa i kishin burrat pranë vetës dhe ndër të gjallët, kuadri i atij vitit të veçantë do të bëhej krejtësisht i plotë.

BALLKANI ËSHTË GODITUR NGA NJË NDRIÇIM I ÇMENDUR A VËRBIM …

Aktin tjetër qendror të dramës së Kosovës autori i librit Tri këngë zie për Kosovën e sheh në disfatën e ballkanasëve përballë ushtrisë së pluhrosur turke, e cila, ndryshe nga ushtritë e popujve të Ballkanit, luftën e bënte nën një flamur të vetëm. Tragjikën e kësaj disfate ai e krijon dhe e artikulon në novelën Zonja e Madhe, e cila është ndërtuar si një rrëfim i rëndë mbi përjetimet e Gjorgut e të Vladanit gjatë betejës së humbur, por edhe gjatë vetë shtegtimeve të tyre të rënda nëpër vendet e Evropës. Njëri shqiptar, kurse tjetri serb, këta dy rapsodë bëhen dëshmitarë, përjetuesë dhe narratorë të disfatës së ushtrive të popujve ballkanikë, si dhe objekte të përbuzjes së rëndë, që pësojnë nga popujt e tjerë evropianë të kohës. Gjithë ajo që mbetet të mbijetojë nga ballkanasitë pas humbjes në Betejën e Kosovës janë vetëm këta dy rapsodë dhe me këtë zgjidhje artistike autori i kësaj novele krijon një ironi dhe një ironizim të mrekullueshëm të luftës, të armiqësive shekullore.

Kjo novelë ka një dramacitet të brendshëm të theksuar dhe ky tensionim i detyrohet, në radhë parë, disfatës dhe përbuzjes që përjetojnë ballkanasitë pas humbjes tragjike në Betejën e Kosovës. Këto dy tema, pra disfata dhe përbuzja, bëjnë esencën e kësaj novele, dramën e saj të brendshme dhe vlerat e mëpastajme, që reflekton kjo dramë e rëndë e jetës dhe e ekzistencës. Tema dhe motivi i disfatës i detyrohen vetë humbjes së popujve ballkanik në luftë kundër turqve dhe ajo është një humbje me përmasa tragjike. Në një moment, njëri nga personazhet e kësaj novele, këtë humbje e quan si një murtajë dhe nëpërmjet këtij krahasimi Ismail Kadare disfatën e ballkanasve në Fushën e Kosovës e sheh dhe e artikulon si një përpjekje për asgjësim dhe si një vdekje të përgjithshme.

Intensitetin e kësaj humbjeje, më konkretisht të kësaj drame dhe të kësaj disfate, shkrimtari e shqipton fuqishëm duke e bartur atë te Gjorgu dhe te Vladani, tek këta dy rapsodë që mbesin gjallë jo për ta kënduar heroizmin e ballkanasve në Fushën e Kosovës, por për ta jetuar dhe përjetuar tragjikisht humbjen e tyre tragjike. Intensiteti i skajshëm i këtij përjetimi artikulohet qart nëpërmjet revoltit të fuqishëm të njërit prej këtyre personazheve, i cili në një moment edhe veten, edhe tjetrin, e sheh të vdekur, që ekzistojnë vetëm si shpirtëra. Ky është kulmi i këtij përjetimi intensiv dhe për ta konkretizuar atë sadopak, po theksojmë se autori humbjen e luftës, këtë disfatë të rëndë të ballkanasve e vendos brenda sfondit të një dite me diell të fort.

Simboli i dritës, i diellit dhe i vapës, siç e kemi theksuar tashmë, në novelen Zonja e Madhe të Ismail Kadaresë marrin kuptime origjinale dhe mjaft funksionale artistikisht. Le t’i kujtojmë për një moment metaforat impresive, si verbim diellor, tepëri drite, ndriçim i çmendur dhe drita dehëse, krijojnë vetvetiu hapësiren iracionale dhe kuptimisht degraduese të një rrëmuje, si dhe kontrastin e një humbjeje tragjike. Autori i kësaj novele shkruan se disfata e popujve të Ballkanit kishte ngjarë në një ditë me diell: Dita po thyhej e bashkë me të edhe ballkanasitë, dhe nëpërmjet kësaj metafore ai sugjeron përmasat kozmike të humbjes, të disfatës.

PËRZËNIA E HYJNIVE DHE NDJELLJA E MJEGULLËS

Pas thyerjes tragjike nga ushtria turke, ballkanasitë nisin të dynden e të ikin nëpër viset e Evropës. Peshën e rëndë të kësaj dyndjeje masive, vetë realitetin dramatik të kësaj zhvendosjeje dhe ikjeje me panikë të ballkanasve, Ismail Kadare e artikulon nëpërmjet dëshprimit të Gjorgut e të Vladanit, si dhe nëpërmjet kuptimeve simbolike të natës e të territ, si dhe të mjegullës së zezë dhe mjegullës së madhe, këtyre metaforave të fuqishme dhe mjaft origjinale. Le të theksojmë se fakti se këta dy rapsodë e bindin njëri-tjetrit: E ndollëm vet të keqën, vëlla. U therëm e u grimë kaq vjet për Kosovën, e tani Kosovën e gëzon tjetër kush, dëshmon jo aktin e vetëdijësimit apo vetë pendesën, por peshën e rëndë të dëshprimit.

Ky dëshprim i thellë, këto simbole dhe metafora të gjetura me shumë dije dhe pasion prej artisti, krijojnë hapësirën negative të jetës e të ekzistencës dhe nëpër këtë hapësirë shtegëtojnë këta dy rapsodë dhe ballkanasë të tjerë, të mundur e të humbur jashtë atdheut të tyre. Ata detyrohen që ngadalë të lirohen nga hija e Kosovës, e tragjikës së saj, dhe që ta njohin e që ta rinjohin vetvetën nëpërmjet përbuzjes, fyerjes dhe moskuptimit të të tjerëve. Pikërisht kjo përbuzje dhe ky moskuptim i rëndë paraqesin dimensionin të thuash qendror tematik të kësaj novele, vetë esencën kuptimore të këtij triptiku letrar për Kosovës të Ismail Kadaresë.

Nuk di ndonjë libër të dytë letrar që trajton dhe që artikulon me kaq invencion dhe pasion padrejtësinë dhe një shpërfillje të skajëshme që u bëhej dhe që po u bëhet ballkanasëve, popujve dhe qytetërimit tepër të vjetër e me vlerë të kësaj hapësire nga pjesa tjetër e Evropës. Veçmas është e rrallë dhe impresive situata e shpalimit të Gjorgut dhe të Vladanit në një Kështjellë të princërve evropianë të kohës, ku ishin ftuar që të këndojnë këngët e tyre të vjetra. Fakti se këta dy rapsodë, përkatësisht këta dy heronjë tragji-komik të kësaj novele, sërish e këndojnë këngën për armiqësitë e moçme shqiptaro-serbe rreth Kosovës, e bëjnë njërin nga princëritë që të thrrasë: Përçarje ka kudo, po si përçarja juaj nuk gjendet mbi dhe. Mjerë ju, – konstaton ai me përçmim.

Personazhi i tretë i kësaj novele është Zonja e Madhe dhe atë Kadare e projetkon si një kontrapunkt jo vetëm të tmerrit të “hapësirës turke” në Kosovë, por edhe të vetë përbuzjes, përçmimit dhe njorancës së skajshme që manifestojnë popujt e Evropës ndaj Kosovën dhe popujve ballkanikë. Ideja se disfata e ballkanasve në Betejen e Kosovës ishte me përmasa të thuash kozmike artikulohet fuqishëm nëpërmjet këtij personazhi. Këta rapsdoë Zonjes së Madhe ia kujtojnë tragjeditë greke dhe ajo përpiqet t’i bindë princëritë evropianë se këngët dhe historitë e tyre janë i njejti pluhur diamanti, e njejta farë. Ajo është e vetëdijshme se këto vlera jo vetëm që nuk ishin ruajtur, por ishin lënë të treteshin, shekull pas shekulli, ato që botën e tërë, domethënë shpirtin e saj, do ta bënin dy herë më të bukur, thotë ky personazh.

Veçmas është me interes dhe origjinal argumentimi i Ismail Kadaresë se evropianët i kishin lënë pothuaj qëllimisht që të treteshin këto vlera shpirtërore dhe mendore të ballkanasëve. Ky argumentim dhe motivim letrar mishërohet në personazhin Zonja e Madhe dhe është ideografia e këtij subjekti artistik që zbulon një rivalitet të brendshëm mes qytetërimeve e besimeve të epokave të njerëzimit, përkatësisht mes besimit në Jezu Krishtin dhe besimit në zotat paganë. Ky moment e bënë këtë personazh të veçantë dhe e artikulon si një simbol të ngushëllimit për vlerat dhe për tragjikën e ballkanasve.

Fakti se ky personazh letrar vdes në momentin kur po bindej se në mënyrë krejtësisht paradoksale në qiell prej kohësh s’kishte më vend për hyjnitë e moçme e dëshmon fuqishëm akuzën e autorit ndaj Evropës, ndaj përbuzjes dhe përçmimit që i bëri dhe që po vazhdon t’i bëjë ajo ballkanasve pesë shekuj me radhë. Vdekja e Zonjes së Madhe simbolizon mungesën dhe vdekjen përfundimtare të mirëkuptimit evropian për ballkanasitë. Mbetën që të jetojnë rapsodët Gjorgu dhe Vladani, këngët e tyre të përjetshme mbi tragjedinë e Kosovës dhe të ballkanasëve, vetë historia mbi heriozmin dhe sakrificën e kosovarëve për liri. Pikërisht me këtë formulim artistikisht të motivuar dhe kuptimisht shumë efektiv përmbyllet novela Zonja e Madhe.

EGËRSIMI I KËNGËVE

Fryma e mallkimit dhe e zisë, një atmosferë e theksuar funebre, mitologjia popullore shqiptare me arketipet e saj impresive dhe një rimitizim i situatave të historisë dhe të realitetit, bëhen një fundament i fuqishëm tematik dhe kuptimor i noveles Lutja mbretërore. Ajo është ndërtuar si një thirrje e përvajshme e Sulltan Muradit dhe si një mallkim i tij në veten e parë dhe me këtë formë të ndërtimit autori e bënë më të ndieshëm rrëfimin letrar. Novela është ndërtuar mbi reminishencat tragjike nga një luftë e vjetër dhe mbi faktet e një lufte të tashme të tmerrshme në Kosovë. Si e këtillë, ajo lexohet si një baladë për fatin e zi e tepër të rëndë disashekullor të Kosovës, e veçmas për fatin e zi dhe tragjik të të gjithë pushtuesve të saj të tashëm dhe të dikurshëm.

Vështruar nga ky aspekt, kjo novelë e Kadaresë ta kujton romanin e njohur të këtij shkrimtari, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, si dhe idenë e tij mjaft origjinale se pushtuesitë ballafaqohen herëdokur me disfatën dhe me krimet e veta, dhe se ata detyrohen papërjashtim që një ditë t’i kërkojnë dhe t’i mbledhin me turp eshtratë e ushtarëve të vet në frontet e huaja. Por, ndryshe nga romani i sipërtheksuar, që është ndërtuar si një akuzë letrare impresive, kjo novelë e librit Tri këngë zie për Kosovën është konceptuar dhe artikulohet si një vetakuzë dhe si një vetëdënim i fuqishëm i pushtuesit. Trajta të kësaj vetakuze e të kësaj gjendjeje pothuaj morbide janë padyshim të qenit mbret i vetëm, midis gjithkahnajës së krishterë, si dhe ndarja e trupit nga gjaku. Njeri-trupi ishte varrosur në Turqi, kurse tjetri-gjaku i kishte mbetur për gjashtë vjet në tokën e Kosovës dhe me këtë ndarje krejtsisht të parëndomtë e me insistimin te ajo, autori e bën më të fuqishme idenë e trishtueshme e të qenit pushtues, kurse dënimit dhe akuzës kundër tij i jep një dimension dhe një përmasë mitike.

Duke dashur që tragjikën e Kosovës ta kërkoj dhe ta motivojë mbi një bazë sa më të gjerë dhe sa më të thellë shpirtërore, Ismail Kadare sjell në këtë novelë edhe dy arketipe nga universi i vlerave popullore. Njeri lidhet me kërcënimin se shtatëqind vjet kam për t’i djegur kullat dhe qentë kam për t’i vrarë shtatëqind vjet, e që është një akuzë eliminuese dhe një kërcënim tepër i frikshëm. Arketipi dhe referenca tjetër lidhen me këngët, të cilat te ballkanasitë dalin po aq të egra sa edhe armët. Këtë paralelizem origjinal autori e gjen dhe e vendos edhe midis këngës dhe jetës, përkatësisht veprimit apo të bëmave. Ai shkruan se ato që i kumtonin në këngë, shqiptarët dhe serbët i bënin vërtet, kurse ato që bënin i shtonin pastaj në këngë, siç shtohet helmi mbi helmin. Kjo është harmonia negative, një ndërlidhje e një ndërkushtëzim midis jetës e këngës, midis realitetit dhe idealitetit gjithandej të frikshëm, që i rri mjaft mirë kësaj novele dhe krejt këtij libri.

Motivimin e kësaj ideje dhe të këtij mesazhi autori e projekton nëpërmjet gjakut, këtij simboli të identitetit e të energjisë jetësore, të esencës dhe të vet ekzistencës. Ai është perceptuar dhe është ndërtuar si një subjekt dhe element mitik dhe mitizues i fatit dhe i fatëkeqësisë. Po theksojmë se personazhi i kësaj novele dëfton me një vetërrfim brilant se kishte dëgjuar nga i ati, e ai nga i ati i tij, se gjithë rravgimi jetësor, kujtesa, pezmi e hakmarrja e tij janë të shkruara në gjak. Ky perceptim dhe ky kundrim i identitetit të shpirtit e të mendjes së njeriut është padyshim i barazëvlefshëm me vetë universin e tij jetësor dhe ekzistencial. Ky univers artikulohet si një përvojë tragjike, gjithsesi e gjithëkohëshme dhe gjithënjerëzore.

Pikërisht nëpërmjet vetërrëfimit të Sulltan Muradit, që është projektuar si një personazh me paradigmë tragjikisht negative, Kadare gjenezën e së keqës dhe konfliktit historik e gjen në gjak dhe me këtë formulim mallkimi për Kosovën merr një karakter të theksuar mitik dhe mitizues. Novela përmbyllet me lutjen e personazhit që gjaku i tij të hiqen nga fusha e ftohtë e Kosovës, sepse mjaftojnë veç ca pika gjaku, për të ndryrë brenda gjithë kujtesën e botës. Kjo lutje shndërrohet në një artefakt e në një vetëdënim dhe është pikërisht ky moment që e bënë novelën Lutje mbretërore një emblemë dhe një preokupim të fuqishëm e të motivuar artistik kundër konflikteve dhe ngatërresave historike midis popujve.

NJË SAGË E VOGËL PËR NJË TRAGJEDI TË MADHE

Le të theksojmë mbas këtij leximi dhe interpretimi se tri novelat e këtij libri Ismail Kadare i artikulon dhe i përjeton si tri këngë zie për Kosovën. Ndërsa, duke qenë një mjeshtër i madh i sintezave të mëdha kuptimore dhe i ideve me një potencë të veçantë semantike, ky autor nëpërmjet këtij libri e projekton në mënyrë brilante tragjikën mijavjeçare të Kosovës dhe të popullit të saj. Njeriu e ka tepër të vështirë, që të mos themi të pamundur, që të kujtoj qoftë edhe vetëm një sintetizim tjetër të këtillë letrar e artistik të motivuar të një kohe kaq të gjatë dhe kaq dramatike, të peshës së një name e të një mallkimi kaq të rëndë dhe të aspiratës kaq sublime dhe kaq njerëzore për liri, për paqe e për jetë të dinjitetshme.

Pikërisht ky sintetizim i pashëmbulltë i përvojës dhe i dijes, i vokaconit dhe i pasionit krijues bën që ta kujtojmë faktin e pakundërshtueshëm se është Kadarea ai që raportin mes historisë dhe letërsisë e vendos më mirë se asnjë shkrimtar tjetër shqiptar. Këto dy vlera dhe përmasa të veprimit, të intelektit e të universit jetësor e shpirtëror, ky autor i vendos në lidhje dinamike bashkëveprimi dhe bashkëplotësimi. Ky shkrimtar jo vetëm mori shumë nga historia, por edhe i ka dhënë mjaft historiografisë kombëtare në planin e interpretimit krijues të situatave e të momenteve dhe në këtë plan ai mbetet një rast i rrallë, për të mos thënë se është një përjashtim vërtet i bukur. Kjo marrje-dhënie intensive mes historisë e letërsisë është rezultat i një qëndrimi krijues tejet të veçantë e produktiv të këtij shkrimtari, si ndaj historisë, ashtu edhe ndaj letërsisë dhe artit përgjithësisht.

Relacionet dinamike mes historisë dhe letërsisë mund të hetohen dhe të vështrohen më thellë e më gjithanshëm brenda librit Tri këngë zie për Kosovën dhe nëpërmjet zgjidhjeve artistike mjaft origjinale të Ismail Kadaresë. Ky libër novelash është menduar dhe është projektuar si një histori letrare dhe artistike e ngatërresave disashekullore mes popujve të këtij gatishulli, veçmas mes shqiptarëve dhe serbëve për Kosovën. Aty ka dhe mjaft elemente të prozës eseistike dhe kjo kushtëzohet e duhet të shpjegohet me faktin se autori sintetizimin e temës, të idesë e të mesazhit e kërkon dhe e ndërton edhe në planin e diskursit e të rrëfimit, por edhe në vetë planin e prosedeut letrar.

Por, ky libër novelash, para së gjithash, është një krijim i mirëfilltë dhe me një literaritet të theksuar, çfarë është gjithë vepra e Ismail Kadaresë. /Telegrafi/

Exit mobile version