Site icon Telegrafi

Malishevë, situata epidemiologjike vlerësohet të jetë nën kontroll

Situata epidemiologjike me ethet hemorragjike është nën kontroll dhe nuk ka asnjë rast të regjistruar me EHKK.

Kështu u tha në mbledhjen e rregullt të Këshillit të drejtorëve, të mbajtur nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Drejtori për Shëndetësi, Hajdin Berisha, duke raportuar për gjendjen epidemiologjike në komunën e Malishevës, tha se “situata është nën kontroll dhe pavarësisht rasteve të thumbimeve nga rriqrat, nuk ka asnjë rast të infektuar”.

Berisha, po ashtu bëri të ditur se po vazhdon me sukses faza e tretë e repelimit të kafshëve dhe faza e dytë e dezinsketimit selektiv.

Ndërsa, drejtori i Shërbimeve publike, Milazim Morina dhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sejdi Paçarizi, kanë ripërsëritur shqetësimin e tyre, për gjendjen e digës, në liqenin Mirusha, ku sipas tyre, ose duhet të intervenohet urgjentisht, ose të shterohet gradualisht liqeni, pasi vërshimet e dimrit, e kanë dëmtuar jashtë masë digën dhe ekziston rreziku për qarje më të mëdha në digë, që mund të jenë me pasoja, për të gjithë ata që jetojnë përgjatë lumit, sidomos në fshatin Mirushë. /Telegrafi/

Exit mobile version