Site icon Telegrafi

Malishevë, Drejtorët komunalë, derivate për veturat private me para të Komunës

Drejtorët e Drejtorive në komunën e Malishevës përveç se kanë shfrytëzuar automjetet zyrtare, ata në të njëjtën kohë janë furnizuar nga Komuna me derivate të naftës për veturat e tyre private.

Po ashtu në komunën e cila udhëhiqet nga kryetari Ragip Begaj, janë furnizuar me naftë edhe automjete të cilat nuk janë fare pronë e komunës së Malishevës. Kështu ka vlerësuar Auditori i Përgjithshëm përmes raportit të auditimi të shpenzimeve të derivateve në komunën e Malishevës për vitin 2014, i cili u publikua këtë muaj, raporton ORAinfo.

Auditori ka gjetur se në vitin 2014 nga automjetet zyrtare ishin shpenzuar 31,086 litra derivate ndërsa nga ato private ishin shpenzuar 6,004 litra derivate.

Auditori ka identifikuar një dokumentim të mangët dhe me shumë gabime aritmetikore për përdorimin e automjeteve për udhëtime zyrtare. “Nuk ekziston asnjë dokumentim për qëllimin e udhëtimeve zyrtare, distancën e kaluar dhe derivatet e shpenzuara me automjetet private. Në 13 raste nuk dihet numri i tabelave të automjetit të drejtorëve të furnizuar me derivate (560 litra). Përveç automjeteve private, drejtorët shpesh kanë shfrytëzuar edhe automjetet zyrtare edhe pse kishin përfituar nga 50 litra në muaj”, thuhet në raport.

Raporti ka identifikuar dy raste kur distanca e kaluar është e pakuptimtë dhe nuk ekziston ndonjë arsyetim. “Një rast është distanca 319km në relacionin Malishevë-Prizren-Malishevë dhe një destinacion i panjohur për servisim të automjetit në distancë 208km”.

Auditori vlerëson se mungesa e dokumentimit dhe dokumentimi i varfër i përdorimit të automjeteve shton rrezikun që përdorimi i tyre të mos jetë efikas dhe ekonomik, me mundësi potenciale të keqpërdorimit dhe shfrytëzimit të automjeteve për qëllime private

Auditori ka rekomanduar kryetarin e komunës që të iniciojë një analizë të arsyeve që kanë shkaktuar paraqitjen e dobësive të identifikuara. “Kryetari duhet t’i forcojë kontrollet mbi përdorimin e automjeteve për të siguruar që ato shfrytëzohen vetëm për qëllime zyrtare dhe në mënyrë efikase dhe ekonomike. I tërë dokumentacioni për secilin automjet duhet të jetë i plotë dhe i qartë duke arsyetuar të gjitha udhëtimet zyrtare”, thuhet në raport.

Furnizohen me naftë edhe automjetet që nuk janë në pronësi të Komunës

Raporti po ashtu ka vërejtur dobësi tjera të furnizimit me derivate. “Rishikimi ynë ka identifikuar që komuna nuk ka emëruar zyrtarë të autorizuar për furnizim me derivate por furnizimi bëhet spontanisht nga përdoruesit e automjeteve. Numri i personave që kanë kryer furnizimet në vitin 2014 ishte 135”, thuhet raport.

Auditori në108 raste ka gjetur që me derivate ishin furnizuar automjete të panjohura. “Në 51 nga këto raste (4,362 litra) automjetet e furnizuara nuk ishin të regjistruara në regjistrin zyrtar të komunës. Në 57 nga këto raste (5,657 litra) nuk ishin regjistruar numrat e tabelave të automjeteve dhe/apo shpenzimi i derivateve nuk ishte dokumentuar. Sipas komunës, një pjesë e këtyre kanë ndodhur për shkak të gabimeve teknike në regjistrimin e të dhënave”, thuhet në raport. /ORAinfo/Telegrafi/

Exit mobile version