Kuvendi i Komunës së Malishevës, i drejtuar nga kryesuesi Rrahim Morina, në marrëveshje me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe shefat e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës, e ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, për ndarjen e mjeteve për menaxhimin e situatës me COVID-19, dhe ka ndarë një shumë prej 150 mijë eurove.
“Fillimisht, kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, e bëri një hyrje për qëllimin e thirrjes së mbledhjes së jashtëzakonshme dhe tha se jemi në një situatë jo të mirë, pasi Komuna e Malishevës,, deri më tani është më e prekura me virusin korona.
Më pas, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e paraqiti gjendjen aktuale në Malishevë, menaxhimin e situatës së krijuar dhe nevojën për ndarjen e mjeteve me qëllim të marrjes së masave shtesë për parandalimin e kësaj situate, menaxhimin e saj dhe ofrimin e mbështetjes për familjet në nevojë gjatë kësaj situate.
Më pas, në emër të subjekteve politike në KK, kanë folur, Avdi Morina-NISMA, Alban Mazreku-PDK, Valon Krasniqi-LDK, Alban Krasniqi-LVV dhe Kastriot Berisha-AAK, të cilët kanë kërkuar më shumë angazhim dhe transparencë në shpenzimin e mjeteve, sikur edhe kujdes të shtuar nga shtabi emergjent komunal”, thuhet në njoftimin për media.
Të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike, ju kanë bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë këshillat dhe udhëzimet e institucioneve përgjegjëse shëndetësore, Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për kujdes të shtuar, për të qëndruar në shtëpi, për të mos dalë pa nevojë, higjienë dhe mbajtje të distancës sociale, pasi kjo është mënyrë më efektive për parandalimin e infektimit me virusin korona.
Në këtë shumë të ndarë për menaxhimin e situatës, një pjesë e mjeteve do të shkojnë në sektorin e shëndetësisë, një pjesë për ndihmë familjeve në nevojë, vazhdim të dezinfektimit të objekteve dhe hapësirave, si dhe një pjesë për nevojat e paparashikuara që mund të dalin gjatë menaxhimit të situatës, përfshi edhe nevojat e shtabit emergjent komunal. /Telegrafi/