Telegrafi

Malisheva mposht Vushtrrinë dhe siguron qëndrimin në Superligën e Kosovës

Malisheva ka arritur ta mposht Vushtrrinë me rezultat 3-1 në ndeshjen e barazhit për Superligën e Kosovës, duke siguruat biletën e fundit për qëndrim në elitë.  

Malishevasit kishin zënë pozitën e tetë në renditje, ndërsa Vushtrria kishte eliminuar Lirinë në ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë për tu takuar në këtë ‘mini finale’ që siguron biletën e fundit për Superligë.

Nuk vonoi shumë dhe Malisheva gjeti golin, kur pas një harkimi nga Ronald Soboëale nga e djathta, Yoan Marc-Olivier gjuajti fuqishëm dhe mposhti portierin Petrit Tahiri në minutën e 17-të të ndeshjes.

Nuk vonoi shumë dhe Malisheva shtoi epërsinë. Tjetër aksion i bukur i nisur nga mesi i fushës. Topi erdhi te Marc-Olivier, i cili me të parën asistoi për Mërgim Pefqelin  i cili me një gjuajtje të bukur realizoi për 2-0.

Vushtrria u këndell paksa pas golave të pranuar, duke rrezikuar me Labinot Osmanin dhe Daut Maxhunin, por portieri Flamur Gashi ishte në vend.

Pjesa e dytë nisi më mirë për vushtrriasit që kishin më shumë nga loja, ndërsa Malisheva, ruante rezultatin që kishte.

në minutën e 75-të, Malisheva fitoi penallti, ku Pefqeli u ndal në zonë dhe pas shikimit të VAR, gjyqtari vendosi për 11 metërsh.

Ky vendim nuk iu pëlqeu tifozëve vushtrrias që ishin pas portës, ku me anë të litarëve që ishte lidhur rrjeta e portës, arritën ta shkulnin të tërën.

Pastaj nga nervozizmi ata shkulën edhe dhjetëra karrige të stadiumit  ‘Zahir Pajaziti”.

Policia i ka shoqëruar për t’i larguar nga stadiumi tifozët ‘Forca’, ndërsa rrjeta u rregullua dhe takimi vazhdoi.

Nga pika e bardhë i saktë doli të jetë Pefqeli për 3-0.

Krejt çfarë bëri Vushtrria ishe një gol në kohën shtesë, nga Mehdi Gashi për 3-1.

Malisheva ruan statusin e skuadrës elitare edhe për një vit, ndërsa Vushtrria do të luajë në Ligën e Parë edhe sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/