Për dy javë rresht në Malishevë nuk është shënuar asnjë rast i ri me coronavirus. Por në këtë komunë është rishfaqur problemi i rriqrave.
Kryetari Ragip Begaj tregon për RTV Dukagjinin se aktualisht janë vetëm tri raste aktive me COVID-19.
“Nga 76 të infektuar sa kanë qenë gjithsejtë, tani kanë mbetur vetëm tri raste aktive e që janë duke u shëruar. Falënderojmë donatorët që na kanë sjellë donacione. E kemi përballuar dhe menaxhuar mirë situatën”, tha Begaj, përcjell Telegrafi.
Por Malisheve pos pandemisë së COVID-19 po përballet edhe me problemin e përvitshëm të rriqrave. Deri më tani janë shënuar mbi 100 raste të pickimit.
“Numri i thumbimeve sillet rreth 180. Nuk janë pak por për fat të mirë askush nuk është helmuar. Gjatë këtyre shtatë viteve nuk kemi pasur asnjë të infektuar. Deri më tani kemi bërë spërkatjen e gjashtë fshatrave dhe do të vazhdojmë edhe me fshatrat tjera”, deklaroi më tej Begaj.
Ndryshe Malisheva ka qenë ndër komunat e para në Kosovë të prekura nga pandemia e COVID-19 dhe vazhdon të jetë ndër komunat më të prekura për nga numri i përgjithshëm i të infektuarve./Telegrafi/