Site icon Telegrafi

Malisheva e nis pozitivisht sezonin pranveror, triumfon ndaj Prishtinës

Malisheva ka fituar me rezultat 2-1 ndaj Prishtinës në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në BKT Superligë e Kosovës.

Ekipi i Arsim Thaqit e ka nisur pozitivisht sezonin pranveror duke triumfuar ndaj skuadrës së Abdulah Ibrakovic në ndeshjen e zhvilluar në “Liman Gegaj”.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë dhe pa shumë raste nga të dyja skuadrat.

Kështu, pas disa tentimeve të vakëta , shifrat mbeten të paprekura dhe ekipet shkuan në pushim me rezultat të barabartë 0-0.

Në pjesën e dytë, pati diçka më shumë aksion dhe raste nga të dyja skuadrat që dëshiron fitoren nga kjo përballje.

Megjithatë, atë e arritën vetëm vendasit që shënuan dy gola, për ta gjunjëzuar kampionin në fuqi, i cili shënoi në fund një gol.

Ishte mesfushori Mërgim Pefqeli, i cili në minutën e 77-të ndëshkoi ish-skuadrën e tij me një gol të bukur për 1-0, ndërsa Ilir Mustafa (90+) shënoi për 2-0.

Besnik Krasniqi (90+) nga penalltia ishte i saktë për të vulosur rezultatin përfundimtar 2-1.

Pas kësaj fitore, Malisheva e sheh veten në pozitën e shtatë me 22 pikë, ndërsa Prishtina e pesta me 24 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, malishevasit luajnë në udhëtim te Ulpiana, ndërsa Prishtina e pret në shtëpi Ballkanin. /Telegrafi/

Exit mobile version