Site icon Telegrafi

Maliqi: Politizim i rrezikshëm i çështjes së kufirit

Njohësi i proceseve politike në vend, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se pas ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit, Kosova dhe Mali i Zi duhet ta korrigjojnë kufirin ndërshtetëror.

Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka shprehur optimizëm se edhe nga ana e Malit të Zi do të ketë mirëkuptim që kufiri të korrigjohet.

“Nuk di si është raporti i forcave në Kuvend dhe a e ka koalicioni qeverisës numrin e mjaftueshëm të votave. Kontesti dhe arbitrazhi mund të lihet për më vonë, për shembull duke ratifikuar marrëveshjen, por edhe duke aprovuar një deklaratë dhe kërkesë Qeverisë së Kosovës, që Prishtina dhe Podgorica të fillojnë biseda miqësore për korrigjimin e kufijve. Mendoj se edhe në Podgoricë do të ketë përgjigje pozitive rreth kësaj”, ka deklaruar Maliqi, duke shtuar se një gjë e tillë me gjasë do t’i zbuste kundërshtimet dhe politizimet aktuale.

Ai ka theksuar se deputetët e Kuvendit duhet ta kuptojnë se votimi i marrëveshjes së demarkacionit është një hap tutje në sovranizimin ndërkombëtar të Kosovës, e jo “falje toke”.

Sipas Maliqit, kemi të bëjmë me një politizim të rrezikshëm që çështjen e kufirit dhe të asociacionit të komunave serbe po e bën mashë që synon prishjen e raporteve me Perëndimin dhe vendet aleate që e kanë sponsorizuar pavarësinë e Kosovës.

“Mosliberalizimi i vizave është dëmi më i vogël që rezulton nga kundërshtimi. Por, fajin nuk do ta ketë vetëm opozita që po demonstron vazhdimisht me parulla populiste dhe në esencë kuazipatriotike. Edhe Qeveria do ta ketë pjesën e fajit për mossqarim me kohë të procesit dhe mosndërmarrjen e masave, si ato që përmenda rreth sigurimit të kanalit të komunikimit miqësor me Podgoricën për rishikimin e demarkacionit pas ratifikimit”, është shprehur Maliqi, duke shtuar se politikanët tanë duhet ta kuptojnë realitetin dhe raportin e forcave në BE.

“Sigurisht se nuk është e drejtë që një pakicë vendesh anëtare të BE-së, si Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro, por dhe ndonjë vend tjetër me interesa të momentit specifik, ta bllokojnë vazhdimisht Kosovën jo vetëm në çështjen e liberalizmit të vizave, por kjo është diçka që as Brukseli nuk mund të ndryshojë brenda natës, assesi jo për shkak të kërkesave të opozitës që duke mos e kuptuar logjikën e procesit, thonë ‘nuk japim tokë Kosove për viza’”, ka vlerësuar Maliqi.

Exit mobile version