Telegrafi

Maliqi: AVUK-u është kanceri i Kosovës

Vezët të cilat importohen në Kosovë jo çdoherë i nënshtrohen kontrolleve të cilësisë dhe vjetërisë së tyre. Sasia e vezëve të importuara gjatë dy muajve të këtij viti e kalon sasinë e importit total të vitit 2015.

“Nuk besoj që ka kontroll të detajuar, ashtu siç duhet të bëhet, sepse për t’u kontrolluar në detaje nevojitet së paku katër ditë për t’u bërë analizat dhe ato nuk bëhen asnjëherë”, kshtu thotë për KosovaPress, fermeri, Muzafer Maliqi, i cili ka shtuar se “vetë fakti që neve na vije veza me çmim të ulët, për shembull 1.29 cent (30 vezë), tregon që ajo nuk është e kualitetit të lartë sepse në vendet nga vjen, shitet 3 euro kompleti (30 vezë)”.

Sipas tij, ato vinë nga frigoriferi. Sipas CEFTA-së, veza e importuar nuk guxon të jetë më e vjetër se 7 ditë. Serbia nuk lejon asnjë maunë me vezë të futet në territorin serb pa iu nënshtruar analizave të veve e kjo procedurë zgjatë deri në katër ditë. Kurse, AVUK-u është kanceri i Kosovës, thotë Maliqi i cili në vitin 2000, ka pas 60 mijë pula, ndërsa sot është me 6 mijë pula. Ka pasur 29 punëtorë e sot i ka vetëm 3 punëtorë.

Ai akuzon AVUK-un për neglizhencë, ndërsa AVUK-u thotë se bën kontrolle periodike dhe jo të rregullta.

Muzafer Maliqi, fermer ka dyshime që në vendin tonë Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit (AVUK) nuk merr mostra të vezëve të cilat importohen. Dyshimet i bazon në faktin se me marrëveshjen e CEFTA-së parashihet që vezët nuk guxojnë të importohen në një shtet tjetër nëse janë më të vjetra se shtatë ditë e që tek ne lejohen të jenë edhe më të vjetra se 7 ditë.

Ai thotë se qe 16 vite në vendin tonë importohen vezë të vjetra dhe jo të freskëta, pasi sipas tij, nuk merren mostrat dhe të dëshmohet e kundërta. Maliqi merr shembullin që e praktikon shteti i Serbisë, i cili nuk lejon asnjë maunë me vezë të futet në territorin serb pa iu nënshtruar analizave të veve, e kjo procedurë, sipas Maliqit zgjatë deri në katër ditë. Ai thotë se krejt këto masa që i aplikojnë vendet fqinjë i bëjnë me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe prodhuesve e që te ne, sipas tij, ky rregull nuk zbatohet.

“Marrëveshja e CEFTA-së parasheh që veza duhet të jetë e freskët 7 ditë, më shumë se 7 ditë nuk guxon me qenë. Përshkruhet në marrëveshje të CEFTA-së. Në çoftë se ka hiper produksion prodhim në vend nuk ka të drejtë me mbrojt prodhimin e vetë. Sikurse Serbia që e mbron prodhimin e saj e ka të shkruar programin për qumësht 10 dinarë të Serbisë deri në 20 dinarë për litër të qumështit, tek ne nuk e zbatojnë kurrë”, tha Maliqi.

Maliqi hedh dyshime që në vendin tonë importohen vezë jo të freskëta. Këtë dyshim ai e bazon në çmimin me të cilin shiten vezët, ku sipas tij, çmimi i vezëve të importuara është më i lirë se sa ai që prodhohet në vend.

“Rregullisht ka import nga rajoni me vezë jo të freskëta por vet ëm me vezë të frigoriferit. Kontrollohen, vetëm merren mostrat edhe ato lihen aty. Nuk besoj që ka kontroll të detajuar, ashtu siç duhet të bëhet. Sepse për me u kontrollua në detaje nevojitet së paku katër ditë për t’u bërë analizat dhe ato nuk bëhen asnjëherë. Janë gjitha kushtet por nuk i bëjnë. Vetë fakti që neve na vije veza me çmim të ulët për shembull 1.29 cent (30 vezë) ajo tregon që ajo nuk është e kualitetit të lartë. Rezervat e frigoriferit që nuk mund me i mbajt në tregun e tyre dhe për mos me e dëmtu tregun e vetë me mall të vjetërsuar atëherë e sjellin në Kosovë. Kjo ka ndodh jo sot por që 16 vjet. Unë jam që 16 vjet në prodhim dhe jam ballafaquar me Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit. Ata e marrin për bazë faktin që është tregti e lirë në CEFTA por tregti e lirë me mall të freskët jo me mall të prishur”, tha Maliqi.

Ai tregon se në vendet prej nga importohen vezët, një tabak ve kushton 2 euro e 80 centë (30 copë), ndërsa tek ne ata e shesin me 1.29 centë. Maliqi po ashtu thotë se fermerët kosovarë kanë kapacitete të mbulojnë tregun në vend, pasi sipas tij, në Kosovë janë afër 120 fermerë dhe disponojnë afër 1 milion krerë pula. Por, sipas tij, nëse vazhdohet me këtë trend të importit ka rrezik që të bie numri i fermerëve dhe prodhimit.

Sasia e vezëve të importuar gjatë dy muajve të këtij viti e kalon sasinë e importit total të vitit 2015. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2015, janë importuar mbi 3 milionë copë vezë. Ndërsa, për dy muaj të këtij viti importi i vezëve sipas Adriatik Stavilecit, zëdhënës i Doganave të Kosovës është 2.9 milionë copë.Sipas Stavilecit, mbi 60 për qind të vezëve importohen nga Shqipëria, ndërsa pjesa tjetër nga Maqedonia dhe Italia.

Në anën tjetër, Lamir Thaçi, zëdhënës i AVUK-ut, thotë se vendi ynë i përmbahet rregullave të CEFTA-së. Ndërsa marrja e mostrave sipas tij, bëhet varësisht nga plani që kanë inspektorët e AVUK-ut.

“Në rastin e vezëve të importit ato janë të pajisura me gji thë dokumentacionin. Ku përfshihet certifikata e origjinës, certifikata shëndetësore, merret leja e importit dhe në certifikatën shëndetësore përcaktohet data e prodhimit, vendi i prodhimit në këtë rast ferma prodhuese po ashtu janë të pajisura me deklaracionet në tëgjitha paketimet dhe janë të shënuara datat në secilën vezë. Vetëm atëherë kur të plotësohen këto kritere këto vezë lejohen të hyjnë në vendin tonë. Ndërsa procedura e mostrimit apo marrjes së mostrave është e përcaktuar me planin nacional për marrje të mostrave ku parashihet marrja e mostrave varësisht nga plani apo frekuenca që e parasheh. Në rastet kur inspektori ka dyshime ka të drejtë të marrë mostra”, tha Thaçi.

Ai po ashtu tha se deri tani nuk ka pasur ndonjë ankesë për dyshime të produkteve të vezëve. Sipas Thaçit, AVUK–ut nuk i intereson çmimi i vezëve në treg por vetëm cilësia e produktit.

Ai po ashtu ka thënë se nga muaji prill do të filloj të zbatohet, Udhëzimi Administrativ 17/2008 për përcaktimin e cilësisë së vezëve, i cili parasheh që çdo vezë në treg duhet të ketë vulën me afat të prodhimit dhe të skadimit. Ky Udhëzim Administrativ është nxjerrë qysh nga viti 2008, por për çudi deri tani nuk po zbatohet.

KosovaPress i ka dërguar pyetje te Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), lidhur me këtë temë por për dy ditë rresht nuk kemi marrë përgjigje. /P.Musa/