Është shqetësues fakti se lufta kundër korrupsionit në Maqedoni u është besuar njerëzve të cilët kanë pasur preferencë që vetë të sillen në mënyrë jopërkatëse në pozitën e cila u është besuar. Kështu ka deklaruar në intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dragan Malinovski, ish-anëtar i Komisionit për Antikorrupsion.
Sipas tij, hapi i parë që duhet të bëhet është të zgjidhen anëtarë të rinj të përkohshëm. I pyetur se a pret që në të ardhmen të ketë gjykime edhe për funksionarët e lartë ai u përgjigj se kjo është e domosdoshme.
“Shpresoj dhe dëshiroj që të ketë përfundim edhe për funksionarët e lartë, ndërsa a do të ndodhë, do të varet nga ajo se sa do të jemi të gatshëm që t’i lirojmë institucionet nga të gjitha ndikimet e mundshme, para së gjithash nga ana e politikës së lartë dhe nga sektori i biznesit. Presionet janë me të vërtetë të mëdha ndaj të gjitha institucioneve, edhe ndaj prokurorisë publike edhe ndaj gjykatës. Nëse ata nuk lirohen unë dyshoj se do të ketë përfundim të vërtetë dhe aktgjykime të bazuara në fakte dhe ligje”, tha Malinovski.
Duke e komentuar faktim që në raportin e fundit, Maqedonia shënon rënie për 17 vende në listën e vendeve të korruptuara, Dragan Malinovski, thotë se vendi assesi nuk po lirohet nga shteti i robëruar.