Site icon Telegrafi

Mali i Zi pritet të bëhet me qeveri të re, Abazoviq paraqiti programin e punës në parlament

Të enjten, më 28 prill (e enjte), në Cetinje do të mbahet seanca e re e Kuvendit të Malit të Zi për zgjedhjen e qeverisë ndërsa i mandatuari për kryeministër, Dritan Abazoviq zbardhi sot në Kuvend programin e punës së Qeverisë së 43-të.

Abazoviq vuri në dukje se qeveria e re do të bazohet në shtetin e së drejtës dhe zhvillimit ekonomik, si dy shtyllat kryesore.

Në pjesën hyrëse të ekspozesë thuhet se shteti malazez ka nevojë për stabilitet politik dhe social, sepse qytetarët presin që përfaqësuesit e tyre të japin një kontribut shumë më të madh në pajtimin dhe largimin e tensioneve të krijuara artificialisht “pas së cilave fshihen interesat e qarqeve individuale dhe dëshirat për përfitime politike”.

Ai deklaroi gjithashtu prioritetet normative dhe politike të pushtetit të ri ekzekutiv, raporton rtcg.

Abazoviq u shpreh se prioritetet politike do të jenë vazhdimi i luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha nivelet, plotësimi i kritereve të përkohshme, me synim marrjen e kritereve përfundimtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Qeveria do të ketë katër zëvendëskryeministra, të cilët do të jenë edhe ministra.

Qeveria do të ketë Ministritë e Drejtësisë, të Brendshme, të Mbrojtjes, të Financave, të Punëve të Jashtme, të Zhvillimit Ekonomik dhe të Turizmit, të Çështjeve Evropiane, të Arsimit dhe të Shëndetësisë.

Aty janë edhe ministritë e investimeve kapitale, bujqësisë, pylltarisë dhe menaxhimit të ujërave, sportit dhe rinisë, administratës publike, punës dhe mirëqenies sociale, kulturës dhe mediave, ekologjisë, planifikimit hapësinor dhe urbanizmit, të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe shkencës dhe shoqërisë së informacionit. Qeveria e re do të ketë edhe dy ministra pa portofol. /Telegrafi/

Exit mobile version