Ministria malazeze e Punëve të Jashtme e ka shpallur persona non grata diplomatin e Ambasadës së Federatës Ruse të akredituar në vend.
Siç njofton MPJ, diplomati duhet ta lëshoj vendin brenda 72 orëve.
“Ambasadorit të Federatës Ruse i është dorëzuar një notë zyrtare për këtë vendim [shpallja persona non-grata], i cili përcakton afatin prej 72 orësh për t’u larguar nga territori i vendit. Arsyeja e këtij vendimi është bërë sipas vlerësimeve të organeve përkatëse të sigurisë”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
MPJ nuk ka deklaruar se në çfarë aktivitetesh është përfshirë diplomati rus, e as Ambasada nuk ka bërë të ditur detajet për këtë rast.
Dëbimit të diplomatit rus i ka paraprirë takimi i nënkryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Strahinja Bulajiq me agjentët e inteligjencës ruse Viktor Antipin dhe Aleksandër Perishov në një restorant në Danilovgrad.
Bulajiq i përket Frontit Demokratik (DF), një aleancë pro-serbe, qëllimet politike të së cilës janë heqja e sanksioneve ndaj Rusisë të vendosura nga Mali i Zi pas aneksimit të Krimesë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. DF gjithashtu është një kundërshtare e anëtarësimit të Malit të Zi në aleancën e NATO-s. /Telegrafi/