Parku kombëtar i Tomorit në rajonin e Beratit fton në këto ditë pranvere të apasionuarit pas natyrës ta vizitojnë atë.
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura në Berat ndau pamje nga ky park, i cili vitet e fundit është një më të vizituarit si nga vizitorë të huaj, edhe ata vendas.
“Dëborë, lule, gjurmë kafshësh. Një përzierje e dimrit që po ikën dhe e pranverës që po fillon të lulëzojë, e gjumit dimëror me lëvizjen aktive të kafshëve që duan të përfitojnë nga ardhja e pranverës. Një larmi pamjesh dhe situatash në zonën e Dardhës në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit, fotografuar gjatë monitorimit të rojeve mjedisore”, thekson ADZM Berat.
ADZM Berat fton të apasionuarit pas natyrës të vizitojnë këtë park dhe të fotografojnë bukuritë e tij.
Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e parkut kombëtar. Aty nuk mungojnë ngjitjet sportive në shpatet me borë, apo aventurierë të rafting në kanionet e Osumit.
Nën këmbët e Tomorit, rrjedh lumi Osum, që duke zbritur nga terrene tepër malore ka krijuar kanionet e famshme të tij, tepër të vizituara sidomos gjatë stinës së verës.
Por, jo vetëm kanionet, në këtë itinerar gjenden dhe disa objekte kulti të feve kristiane e bektashiane dhe monumente të natyrës dhe të kulturës. /Telegrafi/