Drejtori teknik i Milanit, Paolo Maldini, ka konfirmuar se klubi italian e ka bërë prioritet përpjekjen për nënshkrimin me Zlatan Ibrahimovic.
Legjenda e Rossonerëve e ka bërë të qartë se në këtë afat kalimtar nuk mund të ketë investime si në të kaluarën, porse klubi do të përpiqet t’i bëjë transferimet e duhura.
Ai kujtoi se në sezonin e kaluar në San Siro ishin transferuar nëntë lojtarë të rinj, porse këtë vit do të jenë më të kufizuar.
Lidhur me bisedimet me Zlatan, Maldini ka theksuar se klubi po përpiqet të arrijë marrëveshje me sulmuesin veteran.
“Jemi angazhuar shumë për të arritur marrëveshje. Do ta fillojmë sezonin brenda 20 ditësh, e dimë se do të kemi pak kohë për t’u përgatitur dhe ideja jonë është që ta mbyllim marrëveshjen me Ibran sa më herët”.
“Është normale të kemi plan B, madje edhe C e D, por kemi prioritete dhe Ibrahimovici është prioritet i yni”, ka deklaruar Maldini. /Telegrafi/