Site icon Telegrafi

Malcom Simmons i reagon EULEX-it, vazhdon me akuza

Ish-presidenti i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons ka kërkuar formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të folur për shkeljet që ai ka thënë se i ka bërë EULEX-i në Kosovë.

Ish-presidenti i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons përmes kësaj shkrese pretendon se drejtësia e EULEX-it ka qenë e njëanshme.

“Drejtësia ndërkombëtare në Kosovë nuk ka qenë e paanshme, ka qenë e njëanshme dhe e njëjta është përdorur si instrument për realizimin e qëllime politike…
Në rast se do të iniciohet rast, i njëjti ka treguar gatishmëri të dëshmoj personalisht para komisionit hetimor që do të konstituohet nga Kuvendi”, thuhej në kërkesën e Malcolm të cilën e lexoi kryetari i Komisionit për Legjislacion, Shkëmb Manaj.

Misionit i EULEX-it në Kosovë, ka reaguar ndaj Malcom Simmons për formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar, pasi që ai pretendon se drejtësia ndërkombëtare në Kosovë nuk ka qenë e paanshme.

Në një reagim për media, EULEX thotë se nëse kjo është e vërtetë, nuk do të jetë hera e parë që Simmons ka bërë përpjekje që ta paraqesë versionin e tij, të njëanshëm dhe të pavërtetuar të shkeljeve të pretenduara gjatë kohës sa ai ishte gjyqtar në Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit.

Lexo po ashtu EULEX-i reagon në lidhje me pretendimet e Malcom Simmons se ky mision nuk ishte i paanshëm

Mirëpo ndaj këtij reagimi ka reaguar përsëri Malcom Simmons në një përgjigje për RTV Dukagjinin.

“E kam kuptuar që EULEX-i ka lëshuar ​​një njoftim për shtyp në lidhje me të kaluarën time. Përgjigjja ime është kjo:

BE kishte filluar një hetim disiplinor kundër meje pasi kishte marrë kopje të email-eve të mia private, të cilët zbuluan se unë isha një sinjalizues. Ato emaile ishin marrë në mënyrë të paligjshme nga një gjykatës i punësuar nga EULEX, një mision i sundimit të ligjit të BE-së. Hetimi disiplinor kundër meje ishte si ndëshkim për sinjalizimin që kisha bërë.

EULEX i referohet një hetimi të pavarur, të udhëhequr nga një gjykatës, mbi pretendimet e mia për sjellje të pahijshme. Ky hetim ishte një mashtrim. Ekipi i hetimit u emërua nga persona, të cilët unë i kisha akuzuar për sjellje të pahijshme. Hetimi u drejtua nga persona që kishin pranuar emailat e mi.

Më tej, ekipi i hetimit raportoi tek njerëzit të cilët unë i kisha akuzuar për sjellje të pahijshme. Kjo qartë nuk ishte një hetim i pavarur dhe kurrë nuk kishte për qëllim të ishte një hetim i pavarur. Shumë herë i kam shkruar ish-Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini dhe Ambasadorëve të Komitetit të Politikave dhe Sigurisë, duke kërkuar hetim të pavarur mbi pretendimet e mia. Përfaqësuesja e Lartë nuk u përgjigj. Ambasadorët e KPS nuk u përgjigjen.

Gjykatësi që drejtoi hetimin kundër meje po merrte email-et e mia private të hakuara. Hetimi i tij ishte me të meta serioze. Personat që unë i kisha akuzuar për sjellje të pahijshme, dhe të cilët po merrnin email-et e mia private të hakuar, i referuan ato pretendime të gabuara në një bord disiplinor. Bordi disiplinor u emërua nga vetë personat që unë kisha akuzuar për sjellje të pahijshme dhe përfshinte persona që ishin vartës të personave që unë i kisha akuzuar për sjellje të pahijshme dhe iu raportonin atyre. Hetimi ishte qartë i njëanshëm dhe gjetjet të sajuara nga ata që i kisha akuzuar për sjellje të pahijshme. Sërish, ky nuk ishte një hetim i pavarur dhe i paanshëm dhe as që ishte menduar ndonjëherë të ishte një hetim i pavarur. Unë isha një “fasadë” absurde, e krijuar për të ndëshkuar dikë që po përkrahte sundimin e ligjit në Kosovë.

Çështjet të cilave u referohem më sipër janë plotësisht të dokumentuara dhe unë do t’i paraqes ato dëshmi para çdo hetimi të pavarur.

BE refuzoi të kryejë një hetim të pavarur në lidhje me çasjen e paligjshme në emailat e mi privat, përkundër kërkesave të përsëritura nga Qeveria e Britanisë së Madhe.

Tribunali i Punësimit në Mbretërinë e Bashkuar hodhi poshtë çështjen kundër të intervistuarve të BE jo sepse gjykata gjeti se nuk kishte asnjë çështje për përgjigje nga BE por sepse gjeti se nuk kishte juridiksion për të dëgjuar pretendimet.

Unë e mirëpres faktin që Parlamenti i Kosovës tani po shqyrton kërkesën time për të kryer një hetim për sundimin e ligjit në Kosovë dhe mezi pres që të gjitha këto çështje të jenë objekt i një diskutimi të hapur, publik”, thuhet në letrën e Simmons./RTV Dukagjini/Debat Plus/Telegrafi/

Exit mobile version