Site icon Telegrafi

Malcolm Simmons raporton të hënën para deputetëve kosovarë

Ish- kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, do të raportojë të hënën para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Këtë lajm e ka bërë të ditur Kuvendi i Kosovës.

“Takim i përbashkët i Komisionit për Legjislacion me z. Malcolm Simmons, ish- kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it Vendi: Salla 506 Koha: 10:00”, thuhet në njoftim.

Malcolm Simmons, ish-kryetar i gjykatësve në EULEX kishte dhënë dorëheqje nga ky institucion duke akuzuar EULEX-in dhe BE-në për korrupsion.

Simmons, kishte thënë se EULEX-i dëshironte ta rrëzonte një pjesë të klasës politike kosovare.

Ndryshe, që nga viti 2017 kur u largua nga EULEX-i, Simmons ka ngritur akuza të shumta për këtë mision të Bashkimit Evropian, përfshirë ato për ndërhyje në hetime penale, kërcënime ndaj dëshmitarëve të mbrojtur, përpjekje për të ndërhyrë në gjykime, fshehje të provave, ndërhyrje në çështjet penale për qëllime politike si dhe për afera korrupsioni.

Lexo po ashtu Raportimi i Simmonsit para deputetëve të kuvendit për keqpërdorimet e EULEX-it, po konsiderohet pa efekt juridik

Misioni i EULEX-it thotë se respekton vendimin e Kuvendit të Kosovës për ta dëgjuar ish-gjyqtarin Simmons, por në të njëjtën kohë thotë se është i “vetëdijshëm se Simmons do të paraqesë një version të njëanshëm dhe të pabazuar të pretendimeve për keqpërdorimeve gjatë kohës së tij si gjykatës në EULEX”.

Ndërkohë juristët në Kosovë thonë se pavarësisht asaj se çfarë mund të dëshmojë ish-gjyqtari Simmons në Kuvendin e Kosovës, zyrtarët e EULEX-it kanë imunitet dhe nuk mund të ndiqen penalisht nga institucionet kosovare për veprimet që mund t’i kenë kryer gjatë mandatit të tyre në Kosovë. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version