Është në biseda të vazhdueshme me drejtuesit e Tiranës dhe pretendimet i kishte të kalojë në klubin më të madh shqiptar. Mirëpo, një telefonatë nga Dortmundi mund t’ia ndryshojë krejtësisht karrierën.
Fjala është për mesfushorin e Prishtinës, Argjend Malaj, i cili tashmë ndodhet në Gjermani. Futbollisti është ftuar të nënshkruajë kontratë për një vit e gjysmë me menaxherin e njohur botëror, Thomas Kroth. Ndërkohë, ndërmjetësuese në këtë drejtim ka qenë fizioterapeutja e skuadrës së Borussia Dortmundit, kosovarja Lavdie Murati. Lajmi është konfirmuar nga babai i Argjendit, Bedriu.
“Siç thotë populli, pa prit e kujtuar Argjendi ka pranuar një telefonatë nga Lavdie Murati. Ajo është fizioterapeute në Dortmund dhe ka lidhje me menaxherin Thomas Kroth. Ky i fundit e ka parë Argjendin në turneun e vitit të kaluar në Gjermani me Prishtinën U-19 dhe ka kërkuar që të nënshkruajë kontratë për një vit e gjysmë”, deklaroi Bedriu për ‘Sport Plus’.
Kërkesa e menaxherit që ka në pronësi shumë futbollistë të njohur në mesin e tyre edhe portierin e Bayern Munich, Manuel Neuer, ka qenë që Malaj të nënshkruajë kontratën për një vit e gjysmë për shpejtë e shpejtë dhe menjëherë të udhëtojë për në Gjermani. Gjithsesi, mesfushori që realizoi të premten në duel me Trepçën në fundjavë ka fluturuar për Gjermani.
Provat
Pavarësisht faktit se ndodhet në Gjermani, Argjend Malaj ende nuk dihet se ku do të provohet. Sipas babait të tij, Bedriut, urgjente ka qenë nënshkrimi i kontratës me menaxherin Kroth, i cili ka lidhje të mëdha me shumë klube, teksa selia e tij është pikërisht në Dortmund.
“As Argjendi nuk e di mirë se ku do të provohet. Urgjente ka qenë nënshkrimi i kontratës. Momentalisht ndodhet në Karlsruher, derisa nesër (sot) pasdite do të dihet përfundimisht se ku do t’i nisë provat”, theksoi Bedriu.
Gjithsesi, gjasat më të mëdha janë që 20-vjeçari të provohet pikërisht në vendin ku qëndron. “Janë tri opsione për prova. E para është Karsluher, pastaj Bochumi dhe ekipi i dytë i Dortmundit. Gjasat më të mëdha janë që të provohet si fillim te Karsluher apo ndoshta të qëndrojë edhe te ekipi i dytë i Dortmundit”, përfundoi babai i Argjendit, Bedriu.
Ndryshe, Karsluher garon në Bundesliga 2 dhe ndodhet në vendin e pestë me 48 pikë me gjasa që të sigurojë barazhin për inkuadrim në Bundesligë. /SportPlus/Telegrafi/