Site icon Telegrafi

Malaj: Historia e pavarësisë së Shqipërisë nuk është e plotë pa shqiptarët e Kosovës

Kosovës, të cilët kanë qëndruar gjithmonë të palëkundur në mbështetjen e tyre për çështjen e përbashkët kombëtare.

Kështu u tha në një pritje të organizuar sonte nga Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë në prag të shënimit të 111-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, në të cilën morën pjesë krerë të shtetit të Kosovës, ministra, deputetë dhe të ftuar të tjerë.

Ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka folur për rrugëtimin e gjatë të shqiptarëve në luftën e tyre për pavarësi dhe liri, e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar më 28 nëntor në Vlorë.

“Sot jemi mbledhur së bashku për të kremtuar 111-vjetorin e shpalljes së pavarësisë kombëtare të Shqipërisë, këtë ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët në mbarë botën- Ditën e Flamurit tonë Kombëtar. Teksa flas para jush, në mendje kam figura të shquara kombëtare që dhanë jetën për këtë ngjarje të madhe historike për ne shqiptarët. Ata ndihmuan të përcaktojmë se kush jemi, të na udhëzojnë mbi atë që duhet të bëjmë e të na kujtojnë rolin që na e ka dhënë historia në kohën që jetojmë. Kujtojmë me nderim Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë që kontribuuan me penë dhe armë për këtë ngjarje të madhe historike”, tha ai.

Diplomati shqiptar përkujtoi se 28 Nëntori nuk është vetëm një datë e thjeshtë në kalendar, por një fener i identitetit kombëtar dhe një dëshmi e guximit të popullit shqiptar për të realizuar një Shqipëri të pavarur.

“Pikërisht në nëntor të vitit 1912, Ismail Qemajli ngriti flamurin në Vlorë duke e shpallur Shqipërinë shtet të pavarur e sovran, duke ndezur një flakë lirie, e cila shndrin edhe sot. Ishte një ëndërr e përbashkët dhe një zgjim kombëtar për të gjithë neve shqiptarët…Ata nuk luftuan vetëm për integritetin territorial të shtetit të pavarur shqiptar, por edhe për idealet që na përcaktojnë: lirinë, sovranitetin dhe të drejtën për të ndërtuar fatin tonë… Historia e pavarësisë së Shqipërisë nuk është e plotë pa pranuar edhe sakrificat dhe kontributin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë qëndruar gjithmonë të palëkundur në mbështetjen e tyre për çështjen e përbashkët kombëtare”, tha Malaj.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se sot kremtojmë së bashku festën e madhe të shqiptarëve – Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Kjo datë e rikthen në kujtesën historike të shqiptarëve edhe një 28 nëntor tjetër, atë të vitit 1443 kur Gjergj Kastrioti ngriti flamurin në Krujë dhe i dha udhë jo vetëm bashkimit të shqiptarëve rreth idesë së lirisë dhe jetës së pavarur, por edhe shpalli të parin projekt integrues evropian në të cilin shqiptarët dhe jo vetëm, u bën pjesë, por edhe e bartën vulën e tij… Në historinë e re të Kosovës ndërkaq, kjo datë shënon daljen e parë të UÇK-së dhe hapjen e një kaptine të re në betejën për liri të Kosovës…por shënon edhe ditëlindjen e heroit tonë kombëtar Adem Jasharit, heroit tonë legjendar”, tha Osmani.

Ajo theksoi se sot Shqipëria është vend demokratik që promovon vlerat e lirisë dhe të drejtat njerëzore, dhe është e vendosur në rrugën e integrimit evropian, si dhe po kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Kemi synime të njëjta, integrimin në BE, e konsolidimin e shteteve tona. Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e një rrugëtimi të përbashkët drejt integrimit euroatlantik. Ne ndajmë një dëshirë të fortë e të përbashkët për ta ndihmuar njëra-tjetrën, për të arritur synimet tona dhe për ta bërë këtë rajon një vend më të mirë për të gjithë. Sot ne ndihemi krenarë për arritjet tona të përbashkëta. Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria kanë kaluar sfida të mëdha, por kemi bërë edhe progres të rëndësishëm”, ka thënë Osmani.

Kryeministri Albin Kurti ka uruar për 111-vjetorin e shpalljes së shtetit shqiptar, duke thënë se 28 Nëntori është ditë e flamurit dhe bashkimit e pavarësisë së shtetit dhe fitores së popullit shqiptar.

“Mbrëmë u vulos Shqipëria në EURO 2024 në Gjermani, andaj edhe festimi sonte i 28 Nëntorit, një javë më përpara, në fakt është bërë mu në kohën e duhur… 28 Nëntori i Skënderbeut në Krujë, në mes të shekullit 15, 28 Nëntori i Ismail Qemalit në Vlorë, në fillim të shekullit 20 dhe 28 Nëntori i Adem Jasharit në Prekaz, në fund të shekullit 20, janë filli historik i thurjes kombëtare të shqiptarëve…Shumë lot, gjak e djersë është derdhur që ne të kremtojmë, të gëzohemi e të përparojmë…Patriotët shqiptarë u bashkuan rreth idesë së pavarësisë që u proklamua pasditen e 28 Nëntorit 1912 në Kuvendin e Vlorës kur Shqipëria u shpall e pavarur”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.

Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

Exit mobile version