Nga: Arthur Koestler (The New York Times, 9 janar 1944)
Përktheu: Atena Bishka
Është një ëndërr që s’rresht së kthyeri mes intervalesh pothuaj të rregullta; është terr dhe po më vrasin në një si gëmushë a shkurrnajë; një rrugë ndoca disa metra më tej gumëzhin; ulërij për ndihmë por askush s’më dëgjon, turma kalon pranë duke u gajasur e fjalosur.
E di që shumë njerëzve, sipas luhatjeve individuale, u fanepset e njëjta ëndërr. Jam grindur me analistë për këtë dhe besoj se ajo do të jetë një arketip në kuptimin jungian të fjalës; shprehje e vetmisë së skajshme të individit kur përballet me vdekjen dhe dhunën kozmike, pamundësia e për ta komunikuar tmerrin e pashembullt të përjetimit të vet. Për më tepër, unë besoj se ajo është në rrënjë të dështimit të propagandës së krimeve të luftës.
Sepse, tekefundit, jeni ju ajo turma që kalon pranë duke u gajasur në rrugë; dhe ka ca nga ne, viktimat që shpëtuam a dëshmitarët që pamë me sy gjëra që u kryen pas shkurrnajës, e që të përndjekur prej kujtimeve, vijojmë të gërthasim në radio, duke ju ulëritur nëpër gazeta dhe takime publike, teatro dhe kinema. Aty këtu edhe ia dalim t’jua rrokim veshin, si për ndonjë një minutë. E di këtë sa herë që ndodh, përmes një lloj shushatjeje marroke mbi fytyra, përmes një shkrepëtitëje të mekur e të shtangët në sy; dhe them me vete: Ja tek të dolën në shteg, mbaji aty tani, shtrëngoji fort që të rrinë sy-hapët; mirëpo kjo nuk zgjat përveçse një minutë. Një të shkundur i bëni vetes si ata këlyshët kur iu lagen leshrat e pastaj perdja e tejdukshme bie sërish dhe ju vijoni ecjen, mbrojtur pas zhguall-ëndrrës që mbyt çdo zë.
NEee, ulëritësit, i kemi rënë këtij avazi prej gati dhjetë vjetësh. Ia nisëm asaj nate kur epileptiku Van der Lubbe i vuri zjarrin Parlamentit Gjerman[1]; ju thamë se po të mos i shuani ato flakë sakaq, kanë për t’u përhapur në krejt botën; ju pandehët se ne ishim maniakë. Në këtë çast mania jonë është të bëjmë çmos t’ju rrëfejmë për vrasjet me avuj përvëlues, elektroshok masiv dhe varrosje për së gjalli të krejt popullatës hebreje të Europës. Deri tani, tre milionë kanë vdekur. Është vrasja më e madhe në masë e dokumentuar në histori; dhe vijon për ditë e çdo orë, po aq rregullisht sa edhe tik-taku i sahatit tuaj.
Mbi tryezën e punës ku po shkruaj, përballë kam fotografi, shkak i emocionit dhe zemërimit që ndiej. Njerëz u vranë duke u përpjekur që t’i nxirrnin jashtë Polonie; mendonin se ia vlente. Janë fakte këto të botuara në pamflete, buletine zyrtarë, gazeta, revista, e ku di ç’tjetër. Një ditë takova një nga gazetarët më të njohur amerikanë këtej. Më tregoi se në një nga anketimet e fundit të opinionit publik, të pyetur nëse besonin që nazistët kryenin akte mizore, nëntë ndër dhjetë qytetarë amerikanë çfarëdo ishin përgjigjur se të gjitha ishin rrena propagande, dhe se nuk besonin as edhe një fjalë të tillë.
Sa i përket këtij vendi, u bënë tre vjet tashmë që u ligjëroj ushtarëve, dhe po i njëjti qëndrim është. S’besojnë se ka kampe përqendrimi, s’besojnë se ka fëmijë të vdekur urie në Greqi, se ka pengje të pushkatuara në Francë, se ka varre masive në Poloni; s’kanë dëgjuar asnjëherë për Lidicen, Treblinkën ose Belzekun; ja ua mbush mendjen për një orë, por pastaj ata i japin vetes një të shkundur. Vetë-mbrojtja mendore ia nis punës dhe brenda një jave rrudhja e supeve prej mosbesimit ia beh sërish, si të ishte refleks përkohësisht i dobësuar prej ndonjë goditjeje.
Qartazi që, për mua dhe këdo si unë, e gjitha kjo po u shndërrokej në mani. Qartazi, pas gjase ne vuakemi prej ndonjë obsesioni morbid, ndërsa të tjerët na qenkeshin të shëndetshëm dhe normalë. Mirëpo simptoma karakteristike e maniakëve është se këta e humbasin kontaktin me realitetin dhe jetojnë në botë fantazie. Prandaj, ndoshta, është krejt e kundërta: ndoshta jemi ne, ulëritësit, ata që reagojmë në mënyrë të shëndetshme ndaj realitetit që na rrethon, kurse neurotikët që vërtiten në një botë të kamufluar fantazie, jeni ju, ngase ju mungon aftësia për t’u përballur me faktet. Po të mos ishte ashtu, kjo luftë do të ishte shmangur, dhe ata, që u therën faqe jush teksa ju shihnit ëndra syhapur, do të ishin ende gjallë. Unë thashë “ndoshta,” sepse çka u tha më sipër natyrisht që s’është veçse gjysma e së vërtetës.
Ka patur në të gjitha kohërat ulëritës – profetë, predikues, mësonjës dhe sharlatanë – që mallkonin mefshtësinë e bashkëkohësve të tyre, edhe trajta e kësaj situate më së shumti mbetet po ajo. Gjithnjë ka ulëritës që ulërijnë prej kaçubes dhe njerëz që shkojnë rrugës shpërfillës. Ata kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë sy por nuk shohin. Prandaj rrënjët e kësaj pune duhet të shtrihen më thellë, shkojnë përtej veç mefshtësisë.
A mos ndoshta faji është i ulëritësve? Ndonjëherë, pa dyshim që po, mirëpo unë s’e besoj se është ky thelbi i çështjes. Amos, Hosea, Jeremiah ishin propagandistë fort të zotët, e prapëseprapë s’ia dolën dot që t’i shkundnin popujt e tyre e t’i paralajmëronin. Thuhet se zëri i Kasandrës çau muret, e megjithatë lufta e Trojës ndodhi. Tek e mbramja – përpjestimisht – unë besoj se në tërësi MOI [Ministria e Informacionit – shënim i A.B.] dhe BBC janë krejt të afta në punën që bëjnë. E mbajtën këtë vend, por pothuaj tre vjet, me kurrëgjë tjetër përveçse disfatave, edhe ia dolën paq.
Mirëpo, në të njëjtën kohë, mjerisht nuk arritën të përcillnin tek njerëzit diçka që t’i përafrohej një ndërgjegjësimi të plotë se çfarë qe e gjitha kjo, për hatanë dhe lemerinë e kohës ku kishin lindur. Ata vazhduan udhën, si të mos kishte ndodhur asgjë, me të vetmin ndryshim që rutina e punës përfshinte: vriti e vritu. Pragmatika e çveshur prej imagjinatës është kthyer në një lloj miti anglo-sakson; zakonisht kundërshtuar deri në histeri dhe lëvduar si vlerë sipërore në emergjencë. Mirëpo, miti s’thotë as se çfarë ndodh midis emergjencave dhe as se dështimi I shmangies së rishfaqjes së të tyre bie po mbi këtë vlerë.Tani, jo se kjo pamjaftueshmëri ndërgjegjësimi është doemos privilegj anglo-sakson, paçka se këta janë mbase e vetmja racë që e merr si vlerë atë që të tjerët e vështrojnë si të metë. Nuk është as çështje temperamenti; stoikët kanë horizonte më të gjera sesa fanatikët.
Është fakt psikologjitk, i pandashëm prej kornizës tonë mendore, i cili besoj se nuk ka marrë vemendje të mjaftueshme prej psikologjisë sociale dhe teorisë politike.
Ne themi, “Unë e besoj këtë,” ose, “Unë nuk e besoj atë,” “E di këtë,” ose “Nuk e di atë,” duke i konsideruar këto si të ishin alternativa bardh-e-zi. Tani, në realitet, “të diturit” dhe “të besuarit,” kanë shkallë të ndryshme thellësie. Unë e di se dikur na ishte një burrë që quhej Spartak, i cili udhëhoqi skllevërit në revoltë; mirëpo besimi im në ekzistencën e tij të dikurshme është shumë më i zbehtë sesa, të themi, ai për Leninin. Unë besoj se ka galaktika spirale, mund t’i shoh me teleskop dhe t’ua shpreh largësinë në shifra; mirëpo, për mua, ato gjenden në një shkallë më të ulët realiteti sesa shishja e bojës mbi tryezë.
Distanca në hapësirë dhe kohë e fashit intensitetin e ndërgjegjësimit. Po kështu edhe shkalla e madhësisë. Shtatëmbëdhjetë është një numër të cilin e njoh intimisht, si të ishte një mik; pesëdhjetë milliardë s’janë veçse një tingull. Një qen që shtypet prej një makine na trondit ekuilibrin emocional dhe atë të aparatit tretës; tre milionë hebrenj të vrarë në Poloni na shkaktojnë veçse një parehati dosido. Statistikat nuk pikojnë gjak; janë detajet ato që kanë peshë. Nuk mundemi ta rrokim krejt procesin me ndërgjegjësim; mundemi të fokusohemi veçse në llokma të vogla të realitetit. Deri këtu e gjitha kjo është çështje shkallësh; ose përshkallëzimi të intensitetit të të diturit dhe të të besuarit. Por kur e kapërcejmë qerthullin e të fundmes dhe përballemi me fjalë, sikurse përjetësia në kohë, pafundësia në hapësirë, domethënë, kur i qasemi sferës së Absolutes, reagimi ynë rresht së qeni çështje shkallësh dhe shndërrohet në një tjetër karakteristikë. Faqe Absolutes, të kuptuarit shkërmoqet, dhe “të diturit” dhe “të besuarit” katandisen krejtësisht në fjalë të zbrazëta
Vdekja, për shembull, i përket kategorisë së Absolutes dhe besimi te ajo s’është veçse besim i zbrazët. “Unë e di” se, statistikisht me një moshë mesatare rreth të 65-ve, në mënyrë të arsyeshme pres të jetoj jo më shumë se edhe 27 vjet. Por, nëse do ta dija se do të vdisja patjetër më 30 nëntor 1970, në orën 5 të mëngjesit, do të më helmonte një gjë e tillë, numëro e rinumëro ditët dhe orët e mbetura, duke u ngrënë me veten për çdo minutë të shpërdoruar. Me fjalë të tjera, do të më zhvillohej ndonjë neurozë. Kjo s’ka të bëjë aspak me shpresat për të jetuar më gjatë sesa mesatarja; edhe sikur ta fiksonim datën dhjetë vjet më vonë, procesi i formimit të neurozës do të mbetej i njëjtë.
Kështu, të gjithë jetojmë në një gjendje ndërgjegjeje të dyzuar. Ka një rrafsh tragjik dhe një rrafsh trivial, që përmbajnë dy lloje dijesh të përjetuara e reciprokisht të papajtueshme. Suaza dhe gjuha e tyre janë po aq të ndryshme sa latinishtja e kishës prej zhargonit të biznesit.
Këto kufizime të ndërgjegjësimit tregojnë për mangësitë e ftillimit të mendjes me anë të propagandës. Njerëzit shkojnë në kinema, shohin filma me tortura Naziste, vrasje në masë, komplote të nëndheshme dhe vetë-flijim. Psherëtijnë, tundin kryet, ca shkrehen edhe në vaj. Mirëpo s’e bëjnë dot lidhjen me realitetet që shtrihen në rrafshin e tyre normal të ekzistencës. Këtu kemi të bëjmë me Romancë, Art, Ato Gjërat e Epërme, Latinishten e Kishës. Nuk puqin këto gjëra me realitetin. Ne jetojmë në një shoqëri të trajtës Jekyll dhe Hyde[2], veçse ama të zmadhuar në përpjestime gjigante.
Gjithsesi, nuk ka qenë gjithnjë kështu e në të njejtën shtrirje. Ka patur periudha dhe lëvizje në histori – në Athinë, në Rilindjen e hershme, gjatë viteve të para të Revolucionit Rus – kur, së paku, aksh shtresash përfaqësuese të shoqërisë patën arritur një nivel relativisht të lartë të integrimit mendor; kohë, kur njerëzit mbase fërkonin sytë dhe kësisoj bëheshin esëll, kur ndërgjegjësimi i tyre kozmik sikur vinte duke u zgjeruar, kur ata ishin “bashkëkohës” në një kuptim shumë më të gjerë dhe të plotë; kur rrafshet triviale dhe kozmike sikur mbërrinin në një pikë ku puqeshin e bëheshin njësh.
Por, kishte edhe periudha shpërbërjeje dhe shkëputjeje. Mirëpo kurrë më parë, as edhe gjatë kalbëzimit spektakular të Romës dhe Bizantit, nuk ishte dyzimi i të menduarit kaq kthjelltësisht i dallueshëm sa sëmundja e uniformitetit masiv; asnjëherë nuk arriti psikologjia humane të arrijë një lartësi të tillë shtinjakërie. Ndërgjegjësimi ynë duket se rrudhet në përpjestim të drejtë me mjetet e komunikimit që vijnë duke u fuqizuar; bota na shpalohet si kurrë më parë, dhe ne endemi si të burgosur, secili në kafazin e vet privat portativ. E ndërkaq sahati vijon të trokasë tik-tak. Vallë ç’mund të bëjnë tjetër ulëritësit përveçse të vijojnë të ulërasin, derisa të bëhen mavi në fytyrë?
Njoh dikë që i binte qark këtij vendi duke marrë fjalën në takime, mesatarisht dhjetë në javë. Ai është një botues i njohur në Londër. Përpara çdo takimi kyçej në një dhomë, mbyllte sytë, dhe përfytyronte në detaje, për njëzet minuta, sikur ishte në Poloni njëri prej atyre njerëzve që i vrisnin. Një ditë rrekej të përjetonte se si do të ndihej po të mbytej me gaz kloridi në trenin e vdekjes; një ditë tjetër duhej të gërmonte varrin e vet tok me dyqind të tjerë tek përballej më pas me mitralozin, i cili, tek shenjon është, natyrisht, i pasaktë dhe tekanjoz. Dhe pastaj i afrohej podiumit dhe zinte të fliste. Vazhdoi ashtu për një vit të tërë derisa u shemb përdhe prej një krize nervore. E zotëronte shumë mirë audiencën dhe ndoshta arriti të bënte diçka të mirë; ndoshta i solli të dy rrafshet të ndarë prej kilometrash një centimetër më pranë njeri-tjetrit.
Unë mendoj se ky shembull duhet imituar. Dy minuta në ditë me një ushtrim të tillë, me sytë mbyllur pas leximit të gazetës së mëngjesit, na janë më të nevojshme sot sesa spërdredhjet fizike dhe frymëmarrja në stlin Yogi. Mbase mund ta shkëmbesh një gjë të tillë me të vajturin në kishë. Sepse për sa kohë që ka njerëz në rrugë dhe viktima pas shkurrnaje, të ndarë nga zhguaj ëndre, i yni do të mbetet një civilizim kallp. /Gazeta “ExLibris”/
___________