Site icon Telegrafi

Makthi i grekëve, rikthehen paratë nën jastëk

Më 20 shtator grekët do të votojnë përsëri, pasi kanë votuar për zgjedhjen e qeverisë në janar dhe në një referendum në korrik. Ky vit ka qenë i përfshirë nga turbullirat ekonomike më të këqija se në vitet e kaluara, që kulmoi me vendosjen e kufizimit për sasinë e parave që mund të tërhiqeshin në bankë. Gjasat janë që gjendja nuk do të ndryshojë, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve. Por grekët ecin përpara, pa para, por me zgjuarsi.

Shumë familje kanë fshehur shuma të mëdha parash në krevat. Ky zakon buron nga kohët e vështira për monedhë të huaj në vitet 1970. “Paratë në dyshek më bëjnë të ndihem e sigurt,” thotë Dina Eftimiu, pensioniste. Numri i grabitjes së shtëpive është shtuar për pasojë, por policët nuk pranojnë të japin shifra. Sipas vlerësimeve ato janë rritur me 15 për qind. Që numri i grabitjeve nuk është më i madh tregon se grekët janë bërë më të zotë në fshehjen e parave. Disa i groposin në beton.

Mungesa e parave të thata ka çuar që më shumë se një milionë vetë, përfshi zonjën Eftimiu, të blejnë me kartë. “Nuk mora kurrë kartë banke nga frika mos futesha në borxh,” thotë ajo. “Tani paguan në supermarket me kartë dhe kursej paratë e thata.”

Për pronarët e biznesit të vogël. Shumica e të cilëve janë goditur rëndë nga vitet e vështira dhe rënie e shitjeve, kontrolli i kapitalit mund të jetë goditja përfundimtare. Fabrikat vuajnë për porositjen e importit të lëndës së parë, furnizuesit jashtë Greqisë tani kërkojnë të paguhen parapagim. Kreditë bankare u jepen vetëm kompanive të mëdha, thotë Adamantios Papas, pronar i një fabrikë plastike, i cili e ka zgjatur dhe dy javë më shumë mbylljen katër javor të verës. “Po mendoj ta mbyll fare,” thotë ai. Mungesa e punës është problem gjithandej. Shkalla e papunësisë është 25 për qind; rreth tre të katërtat kanë qenë pa punë për më shumë se një vit. Soula Romanu ka punuar si pastruese me kohë të pjesshme qysh kur humbi punën në një dyqan këpucësh një vit më parë. Kjo nënë e vetme blen rroba për vajzën e saj shtatëvjeçare, Marinë, në një treg të hapur në Panormu, një zonë e klasës së mesme në Athinë, që po varfërohet çdo vit nga kriza. Ajo blen një palë xhinse të lira dhe kërkon në një pirg të madh me mallra kineze. “Kam vetëm 30 euro për të shpenzuar gjithsej, Maria duhet të fillojë shkollën,” thotë ajo. “Nëse nuk ia dal, do më duhet të provoj tregun e mallrave të përdorura të kishës të dielën.”

Lidhjet e ngushta familjare dhe niveli i lartë i pronësisë së shtëpive kanë bërë që grekët t’i përballojnë më lehtë vështirësitë ekonomike. Por sërish njerëzit dikur në gjendje tani e përshkruajnë veten si “të varfrit e rinj” pas uljes së pagave dhe pensioneve. Në drejtim të prodhimit Greqia është kthyer aty ku ishte 15 vjet më parë. Manolis Panajotaqis, një ish-punonjës i administratës që doli në pension para krizës, thotë, “Ishim të përgatitur më 2009 për një shtrëngim të rripit, pas viteve të bollëkut. Por rënia veç vazhdoi e vazhdoi.” Pensioni i tij është shkurtuar më shumë se 40 për qind.

Panajotaqis dhe gruaja e tij vendosën që ta mbyllin apartamentin e tyre në Athinë dhe të kthehen në shtëpinë e tyre të fshatit në Kretë. Ai do të merret me kultivimin e ullirit në tokën e familjes. Ai thotë se është i shqetësuar për ngritjen e taksave mbi pronën dhe nga mundësia e shkurtimit të mëtejshëm të pensionit. “Në këtë mënyrë do të vazhdojmë të kemi ca të ardhura, edhe nëse politika ecën keq,” thotë ai. “Vaji i ullirit është para dhe do të jetë i kërkuar gjithmonë.”

Kapja te shpresa

Gruaja e tij, Anthulla, e pranon që lëvizja do të jetë shkatërruese, duke braktisur nipërit e mbesat dhe miqtë në kryeqytet. “Kur ekonomia të përmirësohet, do të kthehemi,” thotë ajo, më shumë shpresuese, sesa e sigurt.

Me nivelin e papunësisë në nivele që nuk është parë për gjysmë shekulli, shumë të rinj grekë pranojnë punë me pagesë të ulët jashtë vendit. Më shumë se 100,000 të rinj të arsimuar janë larguar në katër vitet e fundit, kryesisht për në Britani dhe Gjermani.

Krahasuar me përvojën e grekëve që shkuan të punonin në fabrikat e Gjermanisë në vitet 1950 dhe 1960, vala e re emigrimit për punë e ka më të lehtë, falë rregullave të BE që garantojnë të drejtën e lëvizjes dhe punës. Megjithatë kjo ndjek një gjurmë të njohur, emigrantët e hershëm të vendosur në qytete si Hamburgu e Londra kanë krijuar rrjete për patriotët e tyre prej të cilave përfitojnë emigrantët e rinj.

Specialistët në inxhinieri dhe IT zgjedhin kontrata disa vjeçare në shtetet e Gjirit Persik. Dhimitris Aguridhis, një specialist software-ësh 33 vjeç, nisi një punë në Dubai dy vjet më parë, por ende nuk ndihet mirë. “E dashura ime erdhi me mua dhe gjeti një punë të mirë në marketing, por nuk i pëlqen stili i jetës. Ajo është kthyer në Athinë, e papunë, – thotë ai. – Unë dua të qëndroj dhe pak më gjatë që të nis punën në kompaninë time kur Greqia të fillojë ringritjen – do të ndodhë, dikur”.

Për grekët që kanë qëndruar në atdhe jeta është e vështirë edhe kur ata punojnë. Një mësues matematike 31 vjeç, i cili nisi një punë të dytë si roje private (pasi shkolla ku punonte ia uli rrogën me 30 për qind) është kthyer të jetojë me prindërit. “Është e çuditshme të kthehem në dhomën time të fëmijërisë, por mendoj se nuk mund të largohem e t’i lë vetëm prindërit”, thotë ai.

Ndihma më e fundit ndërkombëtare për Greqinë, e miratuar në korrik, do ta vërë më tej në provë elestalitetin kombëtar. Në dhjetor do të hyjë në fuqi një taksë popullore e kundërshtuar, i ndjekur nga një valë tjetër shkurtimi e pensioneve. Do të ketë shkurtime të tjera në shpenzime. Doktorët kanë frikë se do të mundojnë ilaçet.

Megjithatë fryma e përgjithshme nuk është krejtësisht e errët. Sezoni i mirë turistik ndihmoi. Paratë e fituara në ishuj po shkojnë në qytetet kryesore që familjet të kalojnë dimrin. Fondet e BE për bizneset e të rinjve mbajnë të zënë me punë një numër të madh të rinjsh të diplomuar kryesisht në shkencat kompjuterike, megjithëse një grusht projektesh do të fitojnë në fund. Shoqata bamirëse ofrojnë ushqim të paketuar për mijëra fëmijë shkollash, të cilët do të mbeteshin pa ngrënë. Të mbijetuar nga periudhat e vështira të së kaluarës, si zonja Eftimiu, thonë se po provojnë gati një kënaqësi perverse në përballjen me një variant më të butë në kohët moderne.” “Nuk do të zgjasë përgjithmonë,” thotë ajo. “Grekët kanë qenë të shkathët gjithmonë”. /The Economist/Telegrafi/

Exit mobile version