Telegrafi

Makthi i Eriksenit gjatë pandemisë: Jeton në kompleksin stërvitor të Interit, vrapon në parking dhe ka marrë paralajmërim nga policia

Christian Eriksen (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Transferi i sivjetmë i Interit, Christian Eriksen, ka bërë të ditur se pandemia e coronavirusit ka shkaktuar një makth të madh në jetën e tij.

Mesfushori danez iu bashkua Nerazzurrëve në afatin e janarit nga Tottenham Hotspur për një shumë prej 16.9 milionë funte (19 milionë euro).

28-vjeçari nuk ka pasur kohë që të blejë shtëpi në Itali, një prej vendeve evropiane më të goditura nga pandemia e COVID-19, me mbi 200.000 raste dhe afro 30.000 të vdekur.

Qyteti i zbrazët i Milanos (Foto: Vittorio Zunino Celotto/Getty Images/Guliver)

Si pasojë e izolimit, Eriksen është detyruar të jetojë në kompleksin stërvitor të klubit. The Sun ka publikuar një deklaratë, ku lojtari shpjegon përjetimet e tij.

“Mendova të flisja me Romelu Lukakun dhe Ashley Youngun, mirëpo ata duhet të kujdesen për familjet e tyre dhe të flesh 14 ditë në divanin e dikujt, është shumë gjatë”.

“Kështu, përfundova në strukturën stërvitore të klubit me një shef dhe pesë anëtarë të stafit, të cilët vendosën të vetizoloheshin, në mënyrë që t’i mbronin familjet e tyre”, ka rrëfyer futbollisti.

Christian Eriksen (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Sikur të mos mjaftonte kjo, Eriksen ka treguar se kishte marrë një paralajmërim nga policia italiane për shkelje të rregullores për të qëndruar në shtëpi, pasi kishte shkuar në një supermarket.

“Policia më ndali dhe me italishten time të dobët u desh t’ua shpjegoj se çfarë po bëja, ku po shkoja dhe pse kisha dalë nga shtëpia”, ka thënë danezi.

Ai ka theksuar se nuk e ka goditur topin si duhet për afro dy muaj dhe se ka prapuar në parkingun e kompleksit stërvitor, në mënyrë që ta ruajë kondicionin fizik.

“Ne e ndjekim orarin stërvitor të dërguar nga klubi dhe planin e tyre të dietës, por duhet ta realizosh. Kam vrapuar rreth e qark parkingut dhe kam kalkuluar të vrapoj 35 metra dhe pastaj të kthej dhe të vrapoj 35 metra prapa”.

“Nuk e kam prekur topin qe shtatë javë. Ka qenë periudha më e gjatë pa futboll në jetën time dhe vërtet po më mungon”, ka thënë Eriksen. /Telegrafi/