Zëvendës-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Bekim Maksuti sot në Graz, Austri mori pjesë në mbledhjen joformale të ministrave të mbrojtjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Austrisë. Mbledhja ishte nën patronazhin e ministrit austriak të mbrojtjes Mario Kunasek i cili i informoi homologët nga Ballkani për përfundimet nga mbledhja e ministrave të mbrojtjes të BE-së në Vjenë.
Në mbledhje bisedohej për bashkëpunimin në siguri të vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi evropian me qëllim përforcimin e sigurisë. Takimi i ministrave mbaroi deklaratën e përbashkët ku ceket përkrahja e fuqishme të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor si dhe aksioni i përbashkët në ballafaqimin e sfidave në siguri dhe bashkëpunim në planin e mbrojtjes së kufijve nga emigrimi ilegal drejt BE-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Maqedonia ballafaqohet me të njëjtat sfida dhe kërcënime ashtu sikurse shtetet tjera nga Ballkani Perëndimor dhe pjesa tjetër e Evropës| tha zëvendës-ministri Maksuti.
Ai ceku se qytetarët e Maqedonisë janë para momentit kyç – referendumi më 30 shtator do të ndikojë jo vetëm në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetit të vendit, por për gjithë rajonin, duke theksuar se qytetarët e Maqedonisë treguan se duan ndryshime, dëshirojnë të jetojnë të lirshëm, ku sundon e drejta, shprehja e lirë, ndërsa mediat janë korrektor i politikës./Telegrafi/