Bashkëpunimi bilateral në mbrojtje mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë është në nivel të lartë. Kështu ishte konkluzioni e takimit të sotëm në Shkup i zëvendësministrit për Mbrojtje, Bekim Maksuti dhe drejtori për politikë mbrojtëse në Ministrinë e Mbrojtjes së Austrisë, Gjeneral-major Johan Frank.
Nga Ministria e Mbrojtjes njoftuan se zëvendësministri Maksuti ka theksuar se procesi i ratifikimit të protokollit shkon shpejtë dhe se shpreson se Bashkimi Evropian do të sjell vendim pozitiv për nisjen e bisedimeve, duke marrë parasysh progresin që është bërë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Austria është një ndër shtetet më të rëndësishme për ne dhe ju falënderoj për gjithë mbështetjen në procesin e reformave dhe zhvillimit, posaçërisht në fushën e mbrojtjes”, ka thënë Maksuti, duke shtuar se reformat mbrojtëse po shkojnë mirë dhe se kjo është rezultat i mbështetjes nga vendet partnere dhe mike si Austria.
Gjenerali austriak ka vërtetuar përkrahjen e Austrisë për nisjen e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe ke shprehur se vendet anëtare do të arrijnë konsensus për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/